Aktuale
Urat e rrezikshme për banorët, Drenasi jep 73 mijë euro t’i ndërtojë të rejat

Urat e vjetra në fshatin Dobroshec e Tërdec të Komunës së Drenasit që janë rrezik për banorët të cilët kalojnë andej pari do të rrënohen.
Ura në fshatin Dobroshec që ishte ndërtuar para luftës nga vetë banorët e fshatit e që lidhë katër fshatra atje nuk do ekzistojë si e tillë, shkruan Ndërtimi.info
Komuna e Drenasit tani ka ndarë edhe 73 mijë euro për ndërtimin e dy këtyre urave si dhe ka zgjedhur kompaninë e cila do të merret me ndërtimin e tyre.
Se lëvizja e banorëve nëpër këtë urë paraqet rrezik po e thotë edhe drejtori për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit në Drenas Idriz Hysenaj.
“Njëra është në fshatin Dobroshec. Është e ndërtuar para luftës, është urë e ngushtë është rrezik me u shemb, nuk ka mburojë dhe plus është e ngushtë dhe kemi qitë tender për me ndërtu që lidh 4-5 fshatra nga lokacioni i trenit. Kur lëvizni andej e shihni se është shumë e rrezikshme dhe kemi ndarë mjetet për të dhe është tenderu. Ajo është ndërtuar me forca vullnetare. Pra, vetë fshatarët e kanë ndërtuar dhe është shumë e rrezikshme”, tregon Hysenaj për Ndërtimi.info.
Ndërkaq, Hysenaj për Ndërtimi.info ka treguar se ura në fshatin Tërdec ishte ndërtuar menjëherë pas luftës, duke shtuar se kjo urë është tejet e ngushtë.
“Kurse ajo në Tërdenc është ndërtuar më e ngushtë se sa asfaltimi dhe nuk mund të kalojnë dy kerre, dhe kjo urë duhet me u rrënu me u ndërtu tjetra sepse ka pas edhe aksidente me fatalitet. Duhet me u zgjeru 5 metra e gjysmë sepse tani është 3 metra e tash duhet me u bë sa është e gjerë rruga, rruga është 5 metra e gjysmë dhe kaq duhet të jetë edhe ura. Syri i dritës është 5 metra e gjerë dhe po ashtu 5 metra e gjysmë duhet të jetë e gjatë. Kjo urë është ndërtuar menjëherë pas luftës, dhe është ndërtuar nga një fondacion”, potencoi Hysenaj.
Kompania që do të bëjë ndërtimin e tombinave të këtyre urave është zgjedhur “A&I Group”Sh.P.K, “Trasing Group” Sh.P.K.
Sipas dosjes së tenderit parashihet të bëhen punët përgatitore, demolimeve, punë të gërmimit, transportit të materialeve dhe të ngjashme, punët e zhavorrit, betonimit, armaturës sipas kushteve dhe specifikave teknike.
Po ashtu do të punohet pastrimi i terrenit, piketimi gjeodezik dhe rrafshimi i terrenit 30 metra, demolomi i urës ekzistuese punët e zhavorrit, punimi dhe betonimi i mbajtësve, furnizimi dhe vendosja e armaturës si dhe furnizimi me gypa të llojeve për ujësjellës dhe kanalizim.
Të gjitha këto punë kompania fituese do t’i bëjë me mbi 73 mijë euro (73,038.79 euro).
