Aktuale
Ura në Koretin të Kamenicës pothuajse e shkatërruar
Ura që i bashkon të dy anët e fshatit Koretin të Kamenicë është pothuajse e shkatërruar. E banorët e këtij fshati po kërkojnë nga komuna që ta rregullojë urën dhe të lehtësohet qarkullimi në këtë anë, por këta të fundit po ankohen se nuk po kanë buxhet.
Fatmir Rafuna, banor i Koretinit ka treguar se si pasojë e dëmtimit të kësaj ure po rrezikohen edhe fëmijët që pothuajse çdo ditë kalojnë nëpër këtë urë.
Ai thotë se për gjendjen e urës disa herë janë ankuar në komunën e Kamenicës por që gjithmonë kanë hasur në vesh të shurdhër.
“…Kjo është nyje e Kamenicës, lidhë disa fshatra me brezin kufitar me Breznicën. Jemi ankuar 100 herë këtu, komuna ka thënë nuk kemi mjete“.
Edhe Bafti Hajdari i cila kalon mbi këtë urë disa herë në ditë thotë se gjendja e kësaj ure është mjaft e keqe.
E sipas banorit të Koretinit, Haki Kovani rregullimi i kësaj ure e cila është në gjendje mjaftë të rëndë do t’i shkurtonte rrugët për banorët e kësaj ane.
E në komunën e Kamenicës lidhur me këtë kërkesë të banorëve të fshatit Koretin, thonë se janë duke munduar t’i trajtojnë me prioritet problemet e banorëve të kësaj komune, por pengesë për zgjedhjen e shumë telasheve është buxheti i vogël, transmeton kp.
Zëdhënësja e komunës së Kamenicës, Margarita Rushiti tha se kanë përfunduar dëgjimet publike për hartimin e buxhetit 2020-22 dhe se në të ardhmen do t’i shohin mundësitë për ta zgjedhur edhe problemin e urës së këtij fshati.