Aktuale
Ura drejt asgjësë
Arkivoli luhatej teksa e bartnin nëpër urë, me katër veta që e kishin kapur dhe të pestin që i përcillte. Kalimi nëpër shkallët e improvizuara është sfidë në vete. Edhe të vdekurit e kanë zor në Stanytsia Luhanska dhe në urën që ndan Ukrainën Lindore.
Ura e shkatërruar që shtrihet në lumin e Donetsit është simbol i Ukrainës Lindore të ndarë. Lufta atje mund të ketë marrë fund, por paqja nuk ka nisur ende, transmeton Koha Ditore shkrimin e Der Spiegel.
Një pjesë e urës është shembur dhe është bërë e kapërcyeshme me ndihmën e dy palë shkallëve të drunjta. Për çdo ditë, mijëra njerëz mezi që arrijnë ta kapërcejnë këtë urë, në rend të parë pensionistët.
Të sëmurit dhe të paralizuarit barten me shumë vështirësi, ashtu si edhe foshnjat në karroca dhe thasët e gjërave ushqimore.
E kjo urë paraqet të vetmin pikëkalim të një kufiri që ndan familjet, miqtë dhe partnerët e biznesit. Në veri të Donetsit valëvitet flamuri kaltërverdhë i Ukrainës, që shënjon territorin nën kontrollin e Kievit.
Në jug të lumit dhe mbi vetë urën shihet njëfarë trengjyrëshi rus, me shiritin e një të kaltre të lehtë në vend të së bardhës.
Është ky flamuri i Republikës së vetëshpallur të Luhanskit, që u shkëput prej Ukrainës me ndihmën e Rusisë – një entitet të cilin nuk e njeh askush, që ligjërisht i takon Ukrainës, por është “de facto” pjesë e zgjatur e Rusisë, me 1.5 milionë banorë dhe shtatëmbëdhjetë ministri.
Është kjo një prej herëve të pakta që gazetarët perëndimorë lejohen të raportohen nga këtu. Dhe, kriteri i përdorur prej Ministrisë së Komunikimeve të “Republikës Popullore” për të dhënë lejen nuk është aq qartë. Por lejet e tilla duket se ekzistojnë.
Udhëtimi nëpër republikë fillon në një shesh të pluhurosur në Stanytsia Luhanska.
Ky vendbanim në brigjet verore të Donetsit dikur ishte paralagje e Luhanskut dhe kur nisi rebelimi në Donbass, në pranverën e 2014-s, Stanytsia Luhanska ra shkurtimisht në duart e separatistëve. Por pastaj u shfaqën forcat qeveritare ukrainase, të cilat e shtynë përpara linjën e frontit.