Aktuale
Unaza e Prishtinës nuk nis as këtë vit
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2019/01/20140410122013445646.jpg)
Prishtina, tash e një kohë të gjatë, përballet me tollovi të shumta në komunikacion.
Përveç tollovive, pjesëtarët në komunikacion shpesh nuk respektojnë rregullat si dhe në shumë aksidente kanë munguar provat.
Si zgjidhje për këtë situatë, komuna e kishte vlerësuar ndërtimin e unazës së brendshme në kryeqytet, raporton “038” i KTV-së.
Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) dhe Banka e Investimeve Evropiane, janë pajtuar të japin kredi me interes më të ulët për ta financuar ndërtimin e këtij projekti.
63 milionë euro ishte kostoja e paraparë për këtë projekt, por që me këtë nuk janë pajtuar bankat e interesuar për dhënie te kredisë.
Ato kanë kërkuar tjetër studim të fizibilitetit dhe rishikim të projektit para se ai të kalojë në fazën tenderuese.
E, këto tri procedura, sipas komunës, pritet të zgjasin mbi 10 muaj, gjë që do ta shtyejë nisjen e ndërtimit të unazës për vitin 2020.
“Nëse shkon sipas planit, tash varet nëse parashihet 10 muaj, jemi në janar, do të jetë vështirë fillimi për shkak të kushteve atmosferike. Më 2020, gjithsesi, do të fillojë ndërtimi i unazës së brendshme të Prishtinës”, ka thënë Gëzim Mehmeti , drejtor për Investime Kapitale, Komuna e Prishtinës
Sipas Mehmetit, unaza do të shkarkojë rrugët e kryeqytetit nga numri i madh i automjeteve.
“Kjo unazë ka rëndësi të veçantë dhe është e domosdoshme për qytetin e Prishtinës për arsye se e bën shkarkimin e komunikacionit dhe bën lidhjen e komunikacionit urban me ato të qyteteve tjera dhe magjistralet, që nënkupton se bëhet kyçja në magjistralen në drejtim të Ferizajit, Shkupit, Gjilanit, Podujevës, Nishit dhe Leskocit. Po ashtu, në Fushë-Kosovë, që nënkupton lidhjen me regjionin e Drenicës dhe të Dukagjinit”, ka shtuar ai.
Komuna e Prishtinës, e cila ka pak para për shpronësim, thotë se për këtë çështje do të kërkojë ndihmë nga niveli qendror.
Ministria e Infrastrukturës ka ndarë 2 milionë euro për ndërtimin e unazës. Ministri Pal Lekaj thotë se do të angazhohen për të gjetur edhe investitorë të tjerë.
“Koha që mund të shfrytëzohet për procedura është e mjaftueshme dhe mund të shpenzohen 2 milionë euro, pastaj ne si ministri do të përpiqemi që të gjejmë edhe mbështetës financiarë dhe jemi në dakord që të mbështetet Prishtina për këtë rrugë të domosdoshme që ka ndikim pozitiv që të shkarkohet trafiku dhe qytetarët të lëvizin më lirshëm”, ka thënë Pal Lekaj, ministër i Infrastrukturës.
Unaza e brendshme do të do të fillojë nga rrethrrotullimi i Veternikut, për të vazhduar në drejtim të Zllatarit. Ajo pastaj do të kthehet në drejtim të Gërmisë afër pishinës, derisa do të vazhdojë në drejtim të Kolovicës e Bernicës dhe pastaj të kthehet në drejtim të Fushë-Kosovës dhe në fund të kthehet për në Veternik.
Gjatësia e unazës, që do të përbëhet nga dy korsi në dy kahet, do të jetë afër 26 kilometra.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)