Aktuale
Unaza e madhe: Do shemben 317 objekte

Janë 317 objekte që do të preken nga ndërtimi i Unazës së Madhe, dhe 163 prej tyre që janë në proces legalizimi do të skualifikohen nga ALUIZNI.
Drejtori i Autoritetit Rrugor të Shqipërisë, Afrim Qendro , kryeinspektorja e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit Dallëndyshe Bici nënkryetari i bashkisë së Tiranës, Valdrin Pjetri, drejtor i pergjithshem i ZRPP dhe Indrid Konomi, nendrejtoreshe e pergjithshme e ALUIZNI-t dolën sot paradite në një konferencë për median lidhur me projektin e Unazës së madhe, loti nga “Shkolla Teknologjike tek sheshi Shqiponja” që po shoqërohet me protesta nga banorët, objektet e të cilëve preken nga gjurmët e projektit.
Sa objekte preken?
Qendro ka bërë të ditur se janë bërë verifikimet e dokumenteve për objektet që shemben në ndërtimin e rrugës në Shkozë dhe në Unazën e Re.
Afrim Qendro: “Nga verifikimi paraprak, për të pesta lotet e të dyja projekteve, na del në total:
317 objekte nga të cilat
163 objekte janë në proces legalizimi dhe do të jenë të skualifikuara nga ALUIZNI
123 objekte janë me vërtetim pronësie
kemi disa objekte të tjera për të cilat, me verifikimin nuk ka asnjë lloj informacioni sepse ose nuk ka pasur banorë në banesa ose nuk kanë dashur të japin informacionin përkatës.”
Çfarë do të ndodh me pronarët e objekteve që skualifikohen nga ALUIZNI?
“Të gjithë projektet që janë në këtë gjurmë do i nënshtrohen procesit të skualifikimit” nënvizoi edhe përfaqësuesja e ALUIZNI-t.
Ata që kanë dokumente pronësie do të dëmshpërblehen ndërsa ata do të skualifikohen do përfshihen në listën e të pastreheve si dhe do u jepet bonusi i qerasë.
“Për objektet që skualifikohen nga ALUIZNI, në bazë të ligjit përfitojnë asistencën dhe futjen në listën e qytetarëve që janë për tu trajtuar si të pastrehë” sqaroi Afrim Qendro
Arbri Mazniku: Çdo person që ka një dokument hipotekor për banesën apo biznesin që preken nga projekti do të marrë dëmshpërblimin sipas ligjit. Të gjithë familjet që janë në proces legalizimi dhe që do të duhen të skualifikohen bashkia Tiranë do i trajtojë me një nga programet e mbështetjes për banesë që kemi në dispozicion. Ata do të trajtohen me një procedurë të posaçme për bonusin e qerasë në mënyrë që të kemi për të kaluar në një procedurë të shpejtë dhe të aprovohen sa më shpejt në këshillin bashkiak që të kenë mundësinë të përfitojnë bonusin e qerasë për një periudhë të paktën 1 vjeçare por që ka mundësi të rinovohet më pas sa të kenë mundësi të ristrukturohen dhe menaxhohen në banesat e reja. Ose do të kenë një linjë prioritare në të gjitha programet e banesave sociale apo banimit që bashkia e Tiranës ka.
Këto familje fitojnë bonusin e qerasë pavarësisht gjëndjes sociale, pra dhe kur ata janë familje që i kanë të ardhura për të pasur mundësi për të përballuar qeranë do u jepet bonusi i qerasë për 1 vit.”
Do shembet dhe banesa e Nexhmije Hoxhes
Ndër objektet që do të shemben është edhe ajo e Nexhmije Hoxhës. E veja e diktatorit shprehet se zgjerimi i rrugës është i drejtë por zgjidhja është e tipit fashist. Kjo sepse familjeve sipas saj nuk i është dhënë zgjedhje. Ndërsa Rustem Peçi, kryetari i LANÇ shprehet se kjo qeverinuk ka dhembshuri për të dobëtit.
Projekti me rendesi
Qeveria dhe bashkia e vlerëson si një projekt shumë të rëndësishëm për Tiranën. Në projektin e ri parashikohet që unaza e re të jetë me tre korsi në të dy senset dhe me shpejtësi të lejuar deri në 80 km në orë. Po ashtu në zonën e Astirit parashikohet një nënkalim. Për të lehtësuar qarkullimin në urën e Lanës parashikohen dy nivele kalimi. Dhe dy nënkalime të tjera përgjatë Lanës . Një ndryshim të plotë do të ketë dhe sheshi Shqiponja e cili do të jetë me Tre nivele kalimi. Aktualisht në të qarkullojnë 4000 mjete ne orë nga 2 mijë që lejohet
Afrim Qendro:“Është për 100 vitet e ardhshme për Tiranën. E kemi të standartizuar dhe uniformizuar në të gjithë gjatësinë e tij nga Shkoza deri tek Shqiponja do të jetë një projekt i kategorisë A urbane me tre korsi kalimi, njëra prej tyre korsi emergjence, tre metra. Ndarje të mesit dhe të gjithë elementët urbanë, do të ketë ndriçim, gjelbërim, korsi biçikletash”
Arbri Mazniku:Na siguron lëvizje pa ndërprerje pa ndalesa nga segmenti i mbikalimit të shkollës teknologjike tek Shqiponja. Tel mbikalimi i Shqiponjës kalojnë çdo ditë mbi 40 mijë mjete. Projekti do i japë mundësi zgjidhje përfundimtare të trafikut tek mbikalimi i Shqiponjës.
Kreu i ARRSH-së tregon dhe arsyen pse ndodhi kaq shpejt ndërhyrja.
Afrim Qendro:“Meqënëse garat u zhvilluan në këtë kohë shfrytëzuam momentin nga shpallja e fituesve deri në lidhjen e kontratave dhe të 5 institucionet, Autoriteti Rrugor, bashkia, Inspektoriati ndërtimor, Hipoteka dhe ALUIZNI kemi dalë në terren dhe kemi bërë identifikimin dhe verifikimin paraprak të gjithë objekteve, banesa e biznese që preken nga ky projekt”
Sa është kostoja e shpronësimit?
Drejtori i ARRSH-së tha se momentalisht kostoja e shpronësimit është e pallogaritur. “Kjo kosto do të dalë përfundimisht pas dokumentacionit zyrtar që sjell hipoteka. Në bazë të vlerës që ka zona dhe pasi të dorëzojnë qytetarët dokumentet zyrtare mund të japim një shifër” u shpreh Qendro.
Sa kushton ky projekt?
Gjatësia totale e unazës së madhe është 27 km. Deri tani ka kushtuar 26.5 miliardë lekë ndërsa për lotin nga Shqiponja në Shkozë ende nuk ka një shifër të saktë
Afrim Qendro:“Deri tani janë ndërtuar nga materniteti deri tek Shqiponja, që janë në proces dhe për të gjitha kontratat që janë të zbatuara dhe kanë mbaruar dhe ato që kemi lidhur kontratat, deri tani janë 26.5 miliardë lekë. Për pjesën nga Shqiponja në Shkozë kemi një projekt paraprak që është bërë në 2009 dhe që do të kalojë në fazat e rishikimit të tij dhe në momentin që projekti do të jetë i saktë d të jepet shifra e saktë sa do të kushtojë ky projekt nga Shqiponja në Shkozë që mbyll gjithë investimin.
Inspektoriati ne terren
Brenda javës do të shkojë në terren dhe Inspektoriati Ndërtimor do i lërë të gjithë praktikën ligjore.
Dallëndyshe Bici:“Kemi bërë identifikimin e objekteve që preken nga gjurmët e objektet. Jemi në fazën fillestare të identifikimit. Të gjithë grupet e punës do të jemi në terren me fillimin e procedurave ligjore deri në vendimmarrjen e tyre”
