Featured
U vu gurthemeli i mega-kompleksit të strehimoreve në Gjilan
Fëmijët e braktisur dhe pleqtë në rrethinën e Gjilanit, shumë shpejtë do të kenë strehimoren e tyre.
Shtëpia e tyre do të jetë jo shumë larg nga qyteti, ku një pjesë e Lagjes së Zabelit të “Sahit Agës” është dhënë për këtë objekt që ka kosto 2.5 milionë euro.
Veç qendrës së fëmijëve të braktisur dhe shtëpisë së pleqve ka edhe dy konvikte, një mensë për ushqim, një çerdhe, një ambulantë. Gjithashtu ky objekte do të ketë hapësirë edhe për gratë të cilat cenohen nga dhuna në familje, si objekt qëndrimi ditor për fëmijët me nevoja të veçanta, shkruan Ndërtimi.info
Ky projekt i këtij kompleksi gjigand në Lagjen Zabeli i “Sahit Agës” në Gjilan, është donacion i shtetit të Kuvajtit “Euro Sky”.
I pari i Komunës së Gjilanit, Lutifi Haziri i cili ka siguruar edhe hapësirën për këtë kompleks, ka treguar kohën se kur do të përfundoj ndërtimi i këtij kompleksi.
“Këtë qendër do ta shfrytëzojnë fëmijët jetim, gratë që kanë nevojë të ruhen apo mbrohen, pleqtë e pa mbrojtur, fëmijët me sindrome të ndryshme dhe kategori të tjera dhe vlera e investimit është mbi 2.5 milionë euro. Ky investim ka ardhur në Gjilan pas shumë bisedave dhe hulumtimit të gjithë terrenit të Kosovës. Koha e realizimit të këtij projekti do të jetë shumë më e shkurtër se koha që kemi pritur të filloj projekti”, ka thënë kryetari Haziri, derisa ka shprehur falënderime për donatorin “Euro Sky” dhe të gjithë ata që janë duke u përkujdesur për kategori të veçanta të shoqërisë në Gjilan.
Ndërsa, Islam Caka, ka folur në emër të donatorit nga shteti i Kuvajtit “Euro Sky”, i cili ka thënë se ky përcaktim është për një vend të veçantë, për një qëllim të veçantë dhe për njerëz të veçantë.
“Ky projekt i ka takuar Gjilanit sepse ka qenë e vetmja Komunë e cila ka bërë shumë shpejtë të gjitha përgatitjet e nevojshme që sot projekti të jetë gati për të filluar. Ky është një donacion që vjen nga Kuvajti dhe falënderojmë donatorin që ka ndarë mjetet për të financuar këtë projekt me shumë rëndësi. Qëllimi i këtij projekti ka veçantinë e tij për një kategori të qytetarëve që ata të integrohen sepse janë sikur ne të tjerët, ose ne sikur ata. Shpresojmë shumë nga donatori që edhe në të ardhmen të vazhdojmë me projekte të tjera”, ka thënë mes tjerash ai.
You must be logged in to post a comment Login