Aktuale
U shemb nga përmbytjet, publikohen pamjet nga rindërtimi i Urës së Drojës

Ura e Drojës në Mamurras, e cila lidh Mamurrasin me Thumanën dhe Fushë Krujën që ishte shembur si rezultat i reshjeve në dhjetorin e vitit të kaluar po rindërtohet.
Pamje nga rindërtimi i kësaj ure ka publikuar Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, përmes një postimi në facebook duke iu uruar ndjekësve ditë të mbarë.
Rama ka shkruar se këto pamje të rindërtimit të urës janë një vepër që po përfundon duke kthyer në normalitet një zonë të tërë, duke shtuar se po vijojnë me shembjen e traditës së vjetër të harresës shtetërore me të dalë në diell e pas përmbytjes.
“MIRËMËNGJES 😃 dhe me këto pamje nga rindërtimi i Urës së Drojes, një vepër që po përfundon duke rikthyer normalitetin e një zone të tërë, si edhe duke vijuar shembjen e traditës së vjetër të harresës shtetërore me të dalë dielli pas përmbytjes, ju uroj një ditë të mbarë 😊”, ka shkruar Rama.
Ndryshe, Ura e Drojës po rindërtohet me financimin rreth 1 milion euro nga kompania “Titan” në kuadër të programeve sociale për komunitetet e zonës, ku ajo ushtron aktivitetin.
Ura parashikohet të ndërtohet me gjerësinë 10.5 metra; me dy vija kalimi nga 3.5 metra dhe trotuare.
Punimet për Urën e Drojës, që u shemb si pasojë e reshjeve të dendura të këtij vit, nisën në qershor të këtij viti. Ajo do t’i vijë në ndihmë banorëve të fshatrave Shpërdhet, Bushnesh, Thumanë, Fushë Mamurras si dhe do të lidhë banorët me institucionet e njësisë administrative Mamurras.
