Aktuale
U mbyllen 119 dhe u hapën 847 firma ndërtimi në Kosovë

Interesimi për hapjen e bizneseve në sektorin e ndërtimit del të ketë qenë më i madh gjatë vitit 2017-të, krahasuar me 2016-tën, shkruan Ndërtimi.info
Vitin që lamë pas në Kosovë janë hapur 847 biznese në sektorin e ndërtimit, ndërsa në 2016-ën ishin hapur 830, që i bie më pak se vitin që lamë pas.
Karshi hapjes, pati edhe mbyllje të biznesve të ndërtimit. Sipas statistikave që ka dhënë Kryeshefi ekzekutiv në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, Gazmend Mejzini, për Ndërtimi.info në vitin 2017 ka pas më pak mbylllje të bizneseve sesa në 2016-ën.
“Në vitin 2016 në sektorin e ndërtimtarisë janë hapur 830 Biznese, ndërsa janë mbyllur 196 Biznese, kurse ne vitin 2017 janë regjistruar 847, ndërsa janë mbyllur 119 sosh”, tregon Mejzini.
Në mbylljen e bizneseve sipas Mejzinit po ndikojnë shumë faktorë, ku mes këtyre po është edhe konkurrenca si dhe mungesa e hulumtimeve paraprake për kërkesat e tregut.
“Këto mbyllje janë vullnetare. Ndikojnë shume faktorë në mbylljen e këtyre Bizneseve, konkurrenca, mungesa e një Biznes plani te studiuar mire, hulumtimi paraprak për kërkesat dhe nevojat e tregut për një Biznes me aktivitetet ekonomik jo adekuat. etj”, sqaroi Mejzini.
Ndërsa, marrë në tërësi statistikat e hapjes së bizneseve në Kosovë, në vitin 2017-të pati më pak hapje të bizneseve krahasuar me vitin 2016-të.
Kurse sa i takon shuarjeve në vitin 2017-të janë shuar 739 biznese më pak se viti paraprak, pra, 2016.
“Në vitin 2017 në ARBK janë regjistruar 9,335 Biznese, kurse prej tyre janë shuar 1,589. Në vitin 2016 janë regjistruar 10,553, kurse janë shuar 2,328 Biznese. Sikurse shihet më lartë në vitin 2016 janë regjistruar 1198 biznese më shumë se në vitin 2017. Kurse sa i takon shuarjeve në vitin 2017 janë shuar 739 biznese më pak se viti paraprak 2016”, ka thënë Mejzini.
Me shuarjen e bizneseve po prinë Komuna e Prishtinës, ku për periudhën një vjeçare u shuan 503 biznese. Ku pas kësaj radhitet Prizreni me 465, Ferizaj me 275, Gjakova me 242, Mitrovica 212, Peja me 200, Podujeva 189, Suhareka 174, dhe krejt e fundit radhitet Gjilani me mbylljen e 164 bizneseve.
Megjithkëtë, krahasuar me vendet e Rajonit, Kosova po del të ketë më së paku shuarje të bizneseve.
Se Kosova qëndron më së miri në këtë situatë e thotë edhe Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu.
“Duhet të kuptohet që kur të diskutohet për mbylljen e bizneseve në Kosovë duhet të tërhiqemi në një paralele çka është duke ndodhur me vendet e rajonit dhe më gjerë. Dhe në këtë drejtim nëse analizohet Kroacia, Bosnja, Serbia, Shqipëria, Mali i Zi, e Maqedonia në Kosovë shumë më pak mbyllen biznese sesa në vendet e Rajonit. Dhe në këtë drejtim kam dro se shumëkush po mundohet ta alarmojë këtë situatë për hir të asaj që ta fitoj një hir të aktualitetit por e vërteta është se në Koosvë është një procedurë shumë e thjeshtë e regjistrimit të bizneseve”, tha Gërxhaliu.
Gërxhaliu madje është shprehur i shqetësuar edhe me interesimin e investimeve të huaja në Kosovë, ku ka shtuar se shumë biznese të huaja kanë investuar në vendet e rajonit por jo edhe në Kosovë.
Megjithatë, sipas tij në këtë drejtim sektorët më atraktivë kanë qenë i ndërtimit dhe patudshmërisë.
“Nuk mjafton që Kosova të jetë e vizituar nga biznismeë të huaj, është mjeshtri ata të mbetën në Kosovë dhe për fat të keq duke e parë realitetin e hidhur në Kosovë shumë biznese kanë investuar qoftë në Serbi, në Maqedoni, në Shqipëri por jo në Koosvë.Dhe në këtë drejtim sektorët më atraktive kanë qenë sektorët e patudshmërisë, sektori i ndërtimit dhe e tëra kjo e dëshmon edhe faktin që falë mosmbrojtjes së prodhimeve vendore, prodhuesve kosovarë shumë pak ka pas interesim për të investuar në prodhim”, është shprehur ai.
Ndërsa, marr statistikat për Shqipërinë përgjatë vitit 2017-të, janë mbyllur plot 13 mijë biznese. Kësisoj, rezulton se çdo ditë mbyllin dyert rreth 50 biznese.
