Aktuale
Tuneli në Gjirokastër nën “magjinë” e ngjyrave

Tuneli i cili përshkon tej e përtej nën vete kalanë Argjiro, që lidh edhe zona të ndryshme pranë qendrës historike, ka marrë një tjetër pamje, kjo falë imazheve dhe ngjyrave të forta të realizuar nga piktori korçar Olgert Rakipllari.
Pjesët anësore të këtij tuneli ngjasojnë tashmë me qilimat karakteristike të prodhuar dikur, që ende gjenden në odat e famshme gjirokastrite, kryesisht në banesat e hershme dhe tradicionale të këtij qyteti.
Rakipllari tregon se ideja për këtë punim i lind pas temave të sugjeruara nga organizatorët e eventit “Bashkë kamp art”, ndërsa shton se falë kësaj nisme ky tunel mund të vendoset edhe në shërbim të turizmit dhe të mos shërbejë vetëm si vendkalim për banorët e lagjeve të sipërme të qytetit duke përshkruar atë shkurtojnë ndjeshëm distancën e rrugës:
“Mbas këtyre studimeve u përpoqa t’i klasifikoj dhe të marrë disa motive nga tradita e këtij qyteti me strukturën, motivet dhe modelet e tyre. Në pjesën që sapo hyn në tunel për afro 5 metër kam pikturuar dy qilima me motive tradicionale, njëra në krahun e majtë e tjetra në krahun e djathtë me lartësi prej 1.5 metra. Përkatësisht pjesa ballore e hyrjes për në tunel është mbivendosur një litar ngjyrë blu përreth kontureve të gurit me qëllim që të evidentohen edhe më tepër siluestat e gurit dhe për thyer ngjyrën gri të saj. Ky litar është një zgjatim simbolik i qilimit që do të gjeni në brendësi të pikturuar. Qëllimi i projektit tim është që të vlerësoj dhe riinterpretoj këto hapësira me elementet e tyre karakteristike, siç janë edhe punimet tradicionale të këtij qyteti”, thotë Rakipllari.
Artisti ka vendosur që ta quajë këtë realizim “Art-Tunel” duke i mëshuar edhe më tepër faktit se interesi për të marrë në studim tunelet e ndërtuara gjatë komunizmit, luftarakë ose jo, si dhe rrijetëzimi i tyre do të ishte në shërbim të turizmit dhe risive apo detajeve me të cilat do të njihet një vizitor, që në fakt interesi për të ndjekur nga afër punën e artistit gjatë këtyre ditëve ka shfaqur interes dhe është ndjekur me ëndje nga një numër i konsiderueshëm turistësh.
