Aktuale
Trusti: Mbi 100 milionë euro kthimi bruto nga investimet
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2017/12/trusti-1.jpg)
Kthimi bruto nga investimet (në vlerë nominale) për vitin 2017 pritet të jetë në nivelin rekord qysh prej themelimit të institucionit.
Deri më 14 dhjetor 2017 kthimi bruto nga investimet për vitin (1 janar 2017 deri 14 dhjetor 2017) arriti në rreth 102 milionë euro. Ndërsa në përqindje kjo performancë u reflektua në një rritje të çmimit të aksionit prej 6.42%. Ky rezultat në fushën e investimeve të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) vlerësohet nga Bordi Drejtues si tejet i kënaqshëm.
Njëkohësisht njoftojmë se kthimi bruto në total prej themelimit të FKPK-së e deri në këtë datë në rreth 407 milionë euro.
Rolin kryesor në këtë performancë të investimeve të FKPK-së e patën investimet në tregun financiar jashtë Kosovës, duke kontribuar në pjesën dërrmuese edhe në totalin e kthimit nga investimet.
Nuk duhet anashkaluar se baza e rritjes së vlerës së investimeve të FKPK-së qëndron në një zhvillim të përgjithshëm të tregjeve financiare globale, ku edhe janë plasuar rreth 90% e mjeteve të FKPK-së. Ky vit, pra deri në këtë datë të raportimit, ka njohur stabilitet dhe rritje të qëndrueshme ekonomike globale, që erdhi si nga përmirësimi i treguesve ekonomikë po ashtu edhe nga lehtësirat monetare në qendrat kryesore ekonomike. Këto ishin parakushtet e rritjes së optimizmit të investitorëve, e që njëkohësisht FKPK-ja kishte një strategji investuese që arriti të vjelë këtë zhvillim pozitiv në tregje.
Mjetet nën menaxhim
Edhe këtë vit FKPK-ja njohu rekord në rritjen e mjeteve nën menaxhim. Pa përfshirë këtu edhe muajin dhjetor, mjetet nën menaxhim janë ngritur për rreth 217 milionë euro, krahasuar me rreth 189 milionë euro që ishin ngritur një vit më parë. Përveç kthimit nga investimet në ngritjen e mjeteve nën menaxhim ndikuan edhe prurjet rekorde të kontributeve të reja. Deri në këtë datë të raportimit ishin 150 milionë euro kontribute të reja, pa përfshirë këtu edhe dhjetorin. Pra deri më 14 dhjetor 2017 mjetet nën menaxhim kanë shkuar në 1 miliard e 634 milionë euro.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)