Aktuale
Tregu i banesave në Prishtinë dhe çmimet jo të ulëta sipas lagjeve
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2017/11/banesat-.jpg)
Prishtina si kryeqytet ka numrin më të madh të banorëve në nivel vendi. Duke qenë kështu edhe interesimi për blerjen e patundshmërive është në nivel të madh. Mirëpo, krahas interesimit edhe çmimi i banesave po konsiderohet i lartë.
Kushtrim Hajzeri
Çmimet e banesave në Prishtinë janë në rritje e sipër, duke bërë kështu që çmimi më i lirë i një metër katror të jetë 600 euro për ta arritur deri te më i shtrenjti që kap shifrën hiç më pak se 2 mijë e 500 euro për metër katror.
Agjensionet e patundshmërive bëjnë me dije se këto çmime po shënojnë rritje, në varësi nga zonat e qytetit.
Zona më e shtrenjtë për të blerë një banesë vazhdon të jetë “Qendra” dhe “Ulipiana”. Të dy këto zona që kanë shumicën dërrmuese të ndërtimeve të “paraluftës” në Kosovë. Në qendër një metër katror varion nga 1 mijë e 200 euro deri në 2 mijë e 500 euro, ndërsa në Ulpianë çmimet sillen nga 1 mijë e 100 euro deri në 1 mijë e 400 euro.
Në lagjen “Aktash”, “Qafa” dhe “Dardania” një metër katror i një banese arrin deri në 1 mijë e 200 euro. E, deri në 1 mijë euro arrin në lagjet “Tophane”, “Parku i Qytetit”, “Arbëri” dhe “Bregu i Diellit”. Nga kjo që thonë shit-blerësit e banesave, ndërtimet e vjetra prekin çmimet më të larta.
Edhe pse çmimet variojnë nga ajo që ofrohet nga investitori, sipas kompanive të patundshmërive, lagjja më e lirë për të blerë një banesë del të jenë “Mati 1” me 600 deri në 800 euro për metër katror. Çmimet në këtë lagje prekin edhe shumën 1000 euro për metër katrorë, por ata ndërtues ofrojnë kushte të paprovuara deri më sot, sikur mund të jetë fshisa qendrore. Me startin e njëjtë është edhe “Lagjja e Spitalit”, por që çmimi më i lartë në këtë lagje arrin në 900 euro për metër katror. Deri në 900 euro për metër katror banesë mund të blihet edhe në lagjen “Emshir”, por që këtu çmimin më të lirë mund ta gjeni 700 euro për metër katror.
Duke marrë parasysh çmimet, nga këto zona të qytetit më të kërkuara mbesin ato më të lira si “Mati” e “Emshiri”. Por, sipas agjensioneve të patundshmërive të kërkuara vazhdojnë të jenë edhe “Qendra” e “Ulipiana” dhe lagje tjera që hynë në kategorinë e lagjeve të shtrenjta.
Teksa ka komentuar çmimet e banesave, eksperti i ekonomisë, Ibrahim Rexhepi ka thënë për Ndërtimi.info se këto çmime reflektojnë gjendjen në këtë treg, derisa ka shtuar se edhe flugu i ndërtimeve shkon në përputhje me interesimin e qytetarëve për të blerë.
Ai, ka theksuar se ekziston një dallim mes kostos së ndërtimit dhe çmimit të shitjes, duke shtuar se shkaku i informalitetit është vështirë të dihet edhe rrjedha e parave në këtë treg.
“Duhet pasur parasysh se ndërtimi ka kosto, duke nisur nga lejet dhe dokumentacioni i nevojshëm, e deri te pranimi teknik i objekteve dhe lejimi i tyre për përdorim. Por, megjithatë, mendoj se ndryshim ndërmjet kostos së ndërtimit dhe çmimit të shitjes është i madh, që do të thotë se edhe fitimi është i madh. Për fat te keq vështirë është edhe të dihet qartë për rrjedhën parasë në këtë treg për shkak të shkallës së lartë të informalitetit”, ka potencuar ai.
Rexhepi ka shtuar se duke qenë se Kosova është vendi më i varfër në rajon, ka edhe çmimet më të ulëta të patundshmërive.
Në anën tjetër bashkëpronari i Agjensionit për Patundshmëri “Anem Real Estate”, Andi Belegu për Ndërtimi.info ka numëruar disa nga faktorët që ndikojnë në çmimet e banesave.
“Disa faktorë janë unik për Prishtinën si kryeqytet e disa te tjerë që ndikojnë në nivel të përgjithshëm. Nga faktorët që ndikojnë në ndryshimin e çmimeve në Prishtinë janë numri i madh i ndërtimeve pra rritja e pa kontrolluar e ofertës, politikat komunale për ndërtime e kështu me radhë. Ndërsa në nivel të vendit ndikojnë faktorët e ndryshëm ekonomik siç janë inflacioni, kërkesa nacionale, oferta dhe faktorët e ngjashëm që parashihen dhe vlerësohen me parametra ekonomik dhe në mënyrë të rregullt duhet të monitorohen”, ka bërë të ditur Belegu.
Në lidhje me interesimin e qytetarëve për lagjet e reja dhe ato të vjetra, Belegu ka thënë se interesimi për shkak të çmimeve është më i madh për ndërtimet e reja, megjithatë sipas tij ka gjithmonë edhe interesim për banesat e vjetra. Arsye për këtë sipas tij përveç besimit më të madh në fortësinë e ndërtimeve të vjetra, vjetra është po ashtu edhe lidhja me Ngrohtoren e Qytetit.
Në mes banesave të reja dhe atyre të vjetrave ekziston një diferencë. Sipas drejtorit të Agjensionit të Patundshmërive “Intercapital”, Arben Asllani diferenca qëndron tek sipërfaqja.
“Diferenca mbetet te sipërfaqja, të rejat kryesisht janë me metra bruto ndërsa ato të vjetrat janë me metra neto, dallimi nga bruto në neto është rreth 15% dhe në këtë rast vlen të theksohet se te banesat e vjetra në sipërfaqe nuk janë të përfshira ballkonat dhe plakarët”, është shprehur ai.
Ndërkaq, sipas Asllanit në lagjet ku gjenden ndërtimet e vjetra si “Ulipiana” dhe “Dardania” më nuk ka hapësirë për ndërtime të reja.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)