Aktuale
Trashëgimia kulturore në Kosovë drejt shkatërrimit

Departamenti për Trashëgimi Kulturore dhe Këshilli i Kosovës për Trashëgiminë Kulturore, sot janë ballafaquar në Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë për gjendjen e trashëgimisë kulturore në Kosovë.
Gjendja e kësaj fushe kulturore sipas komisionit është mjaft e rëndë dhe në rrënim e sipër dhe është kërkuar të gjendet një rrugëdalje.
Isuf Koci udhëheqës i Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, tha se raporti i këtij Këshilli paraqet një gjendje jo të mirë të trashëgimisë, e cila është duke u rrënuar në Kosovë.
“Fatkeqësisht, gjendja e trashëgimisë kulturore nuk është e mirë, një prej fakteve është se gjendja e Kalasë së Novobërdës është e mjeruar”, tha Koci.
Përkundër rritjes së fondeve për trashëgiminë kulturore, Koci tha se gjendja është e mjerueshme.
Sa i përket kësaj fushe, është edhe çështja e 39 kompanive ndërtimore, të cilat nuk janë të licencuara për konservim dhe restaurim. Sipas Kocit, mos respektimi i trashëgimisë kulturore është potencuar edhe në Raportin e Progresit për vendin.
Koci tha se përveç që nuk po respektohet ligji, nuk ka bashkëpunim me Departamentin sa herë bëhet fjalë për financa.
Vjollca Aliu, udhëheqëse e Departamentit për Trashëgimi Kulturore në Ministrinë e Kulturës, tha se nuk ka pasur shkelje të Ligjit për trashëgimi kulturore, por ka pranuar se gjendja e kalasë së Novobërdës është shqetësuese.
Ndërsa, sa i për ketë kompanive, ajo pranoi se ka kompani të pa licencuara për restaurimin dhe konservimin e objekteve kulturore.
Ismajl Kurteshi, kryetar i Komisionit, tha se është obligim të raportohet për gjendjen dhe ligjet e trashëgimisë kulturore.
“Ne si Komision e kemi formuar një Grup Punues për mbikëqyrjen e ligjit të trashëgimisë kulturore. Në bazë të shkresave të Këshillit për Trashëgiminë, ka shkelje të ligjeve dhe gjendja nuk është e mirë në këtë fushë”, tha Kurteshi.
Për gjendjen e rëndë në këtë fushë, kanë folur edhe anëtarë tjerë të Komisionit, Driton Çaushi dhe Teuta Haxhiu.
Ndryshe, Këshilli nuk është funksional për shkak mos kompletimit të bordit.
