Aktuale
Tragjedia në Itali, Konfindustria kërkon të merren masa për urat

Tragjedia e ndodhur në Genova të Italisë, ku si pasojë e shembjes së urës humbën jetën 43 persona, është bërë shkak që Konfindustria t’i kërkojë qeverisë shqiptare që të rishohë mënyrën e menaxhimit dhe ndërtimit të rrugëve.
Përmes një komunikate të shpërndarë për mediat, Konfindustria thotë, se “Ekzekutivi shqiptar të rishikojë në thelb mënyrën e sotme të ndërtimit dhe menaxhimit të rrugëve kombëtare, koncesionet, PPP si edhe kontratat e mirëmbajtjes të infrastrukturës”.
Nga ana tjetër, ajo sugjeron krijimin e një Agjencie Punblike të Menaxhimit të Infrastrukturës si dhe ripërcaktimin e kushteve të përzgjedhjes së kompanive, që marrin përsipër ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve.
“Krjimi i një Agjencie Publike të Menaxhimit të Infrastrukturës dhe i strategjisë së zhvillimit dhe menaxhimit infrastrukturor, sipas standarteve të vendeve të zhvilluara, është domosdoshmëri. Konfindustria vlerëson, se duhet të ripërcaktohen sa më shpejt kushtet e përzgjedhjes së kompanive, që marrin përsipër ndërtimin dhe mirëmbajtjen e akseve strategjike të rrugëve dhe veprave kryesore të infrastrukturës kombëtare” thuhet në komunikatën për media të Konfindustrisë.
Sipas saj, këto kërkesa janë bërë për shumë arsye, së pari, historiku i kompanive, që kërkojnë të jenë pjesë e garave publike me kapital publik dhe privat në ndërtimin dhe mirëmbajtjen e veprave infrastrukturore dhe akseve strategjike të vendit, duhet të jetë kusht thelbësor. Kompanitë pa përvojë dhe/ose me përvoja negative, nuk mund të jenë fitues të garave publike të infrastrukturës së vendit, pavarësisht burimit publik dhe/ose privat të financimit.
Gjithashtu, Konfindustria thekson, se duhet të hiqet dorë nga praktika e derisotme e pjesëmarrjes fiktive të kompanive me standarte, thjesht për të përligjur pjesëmarrjen dhe fitimin e garave publike të infrastrukturës nga subjekte të treta pa përvojë.
“Janë me dhjetra raste të pjesemarrjes dhe më pas tërheqjes nga përgjegjesitë e menaxhimit të veprave infrastrukturore të kompanive me standarte, përfshi edhe akse rrugore strategjike si projekti i mirëmbajtjes së Rrugës së Kombit”.
Por, një tjetër ndërhyrje sipas Konfindustrisë, duhet të bëhet edhe sa i përket rritjes së garancive dhe penaliteteve financiare për shkeljet në zbatim të projekteve nga kompanitë fituese të garave publike.
“Duhet të kryhen përmirësime të thella ligjore për caktimin e qartë dhe rritjen e ndjeshme të garancive dhe penaliteteve financiare për shkeljet në zbatim të projekteve nga kompanitë fituese të garave publike pavarësisht llojit të financimit publik ose privat dhe tipit të projekteve si koncesione, PPP, etj.të përdorura në ndërtimin dhe mirëmbajtjen e veprave infrastrukturore” thotë Konfindustria.
Për Konfindustrinë, të tilla hapa janë domosdoshmëri për të mos lejuar përsëritjen e rasteve të papranueshme dhe me pasoja të rënda për ekonominë, biznesin dhe qytetarët sikurse projektet e unazëz së Fierit, Vlorës, rrugës Elbasan –Tiranë, Portit të Vlorës, etj.
