Arkitekturë
Tottenham përuron me fitore stadiumin e ri spektakolar

Tottenhami kthehet më në fund në “shtëpinë” e tij. Skuadra londineze përuroi stadiumin e ri të saj, që u ndërtua mbi rrënojat e “White Hart Lane” të vjetër, me këtë impiant që tashmë e ka emrin “Tottenham Hotspur Stadium”.
Përurimi u bë në mënyrën më të mirë të mundshme, me fitoren 2-0 ndaj Crystal Palace. Për të ndërtuar këtë impiant u deshën 2 vite, kohë gjatë së cilës skuadrës së Mauricio Pochettinos iu desh të luajë ndeshjet e saj si pritëse në mitikun “Wembley”.

Por, pritja duket se ia vlejti, pasi stadiumi i ri është vërtet spektakolar.
“Tottenham Hotspur Stadium” ka një kapacitet me 62.062 vende, stadiumi i dytë më i madh në “Premier League” pas “Old Trafford”-it të Manchester United. Kostot e ndërtimit kapin shifrën e mbi një miliard eurove, por bindja është se i gjithë ky investim do të sjellë frytet e tij.
Stadiumi i Tottenhamit nuk do të përdoret vetëm për ndeshjet e futbollit europian, por do të presë edhe sfida të futbollit amerikan dhe ndeshje boksi. Ai është konceptuar për të siguruar edhe përfshirjen e publikut. Distanca më e largët e fushës nga tribunat është 7.9 m.

Sigurisht që gjithçka u krye për të plotësuar kërkesat e kulturës angleze, pasi një teknologji e sofistikuar jep mundësinë e mbushjes së 10 mijë gotave me birrë për minutë, e jo vetëm kaq.
Në impiant janë instaluar dy ekranet më gjigantë të Europës Perëndimore, ndërsa sektori i tifozëve vendas ka një kapacitet prej 17.500 vendesh dhe është konceptuar sipas modelit “Muri i Verdhë” të Borussias së Dortmundit. Sa u përket abonimeve, më të kushtueshmet janë 19 mijë paund në sezon.

