Aktuale
“Tokë për ajër”, formë e re e shpronësimit në Komunën e Prishtinës
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2018/10/Prishtinacitycenter.jpg)
Prishtina ka nevojë për qendra të mjekësisë familjare e shkolla, në shumë pjesë të qytetit.
Por, komuna e cila nuk ka shumë tokë komunale e as para për shpronësim, ka vendosur që qytetarët që japin tokën për të ndërtuar rrugë ose objekte institucionale t’i kompensojë me koeficient ndërtimi, që komunarët i referohen me “tokë për ajër”.
Kjo formë e shpronësimit do të aplikohet për vazhdimin e pjesës jugore të rrugës “B” në “Mati 1”, përmes planit rregullues të hollësishëm për këtë zonë.
Komuna ka thënë se është detyruar ta zgjedhë këtë mënyrë për shkak të pamundësisë për të paguar shumat e mëdha që duhen për shpronësim, tani që vlera e tokës në Prishtinë është e lartë.
Hapësira që komuna synon ta shpronësojë në këtë pjesë është rreth 4 hektarë, derisa aty është premtuar se do të ketë gjelbërim, çerdhe dhe qendër kulturore.
Në anën tjetër, banorët e lagjes “Kalabria” vazhdimisht kanë alarmuar për kundërmimin që vjen nga kolektori i hapur i ujërave të zeza në rrjedhën e lumit “Mat”.
Komuna e Prishtinës ka gati një dekadë që ka dështuar ta vazhdojë pjesën e kolektorit në këtë lagje, në mungesë të mjeteve për shpronësim.
Edhe këtu po vazhdojnë bisedimet për ndërrim të tokës me kompensim në koeficient ndërtimi.
Në anën tjetër, njohësit e sektorit të ndërtimit kritikojnë komunën për mostransparencë, sa i përket kësaj forme të shpronësimit.
Ata thonë se ekzekutivi komunal po jep shumë pak informata për këtë proces.
Kohavisioni ka pyetur MMPH-në për këtë mënyrë të shpronësimit, por ata nuk kanë dhënë ndonjë vlerësim.
Në një përgjigje me shkrim janë përmendur kushtet që, sipas Ligjit për shpronësimin e pronës së paluajtshme, Komuna duhet t’i plotësojë për shpronësim.
Shpronësues është i autorizuar ta bëjë shpronësimin e pronës së paluajtshme vetëm pas përmbushjes së të gjitha kushteve në vijim: 1.1. shpronësimi bëhet në mënyrë të qartë dhe të drejtpërdrejtë për arritjen e një qëllimi të ligjshëm publik brenda kompetencave të tij të përcaktuara në paragrafët 2. dhe 3. të këtij neni; 1.2. qëllimi i ligjshëm publik nuk mund të arrihet në mënyrë praktike pa kryerjen e Shpronësimit; 1.3. përfitimi publik nga shpronësimi është më i madh se interesat të cilat do të ndikohen negativisht nga Shpronësimi; dhe 1.4. prona e paluajtshme e cila është objekt i shpronësimit nuk është zgjedhur për arritjen e një qëllimi ose synimi diskriminues; dhe 1.5. Organi Shpronësues i ka përmbushur të gjitha dispozitat e aplikueshme të këtij ligji”, ka thënë MMPH-ja.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)