Aktuale
Themelohet Qendra Memoriale e Bllacës, treni bëhet muze

Fotografitë e shkrepura në prillin e vitit 1999, në zonën kufitare të Maqedonisë e të Kosovës, në Bllacë të Hanit të Elezit, do të ekspozohen në përvjetorin e 20-të të këtij eksodi. E përveç fotografive që do të dërgohen atje, në Bllacë gjithashtu më 10 prill do të vihet edhe gurthemeli i qendrës memoriale “Gjenocidi serb Bllacë”.
Jahja Lluka, nga Zyra e kryeministrit Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur për gazetën “Zëri” se njëri nga trenat që largoi mbi gjysmë milioni njerëz nga Kosova gjatë luftës do të niset edhe një herë për në Bllacë, por kësaj herë për të qëndruar atje dhe për t’u bërë muze.
“Më 10 prill do të vihet gurthemeli i qendrës memoriale ‘Gjenocidi serb Bllacë ’99’, në Bllacë të Hanit të Elezit, në anën e Kosovës, ku ka qenë kampi i refugjatëve. Me këtë rast do të dërgojmë edhe trenin i cili ka pasur refugjatë e që do të qëndrojë aty si muze. Të gjitha përgatitjet janë kryer. Përveç liderëve, po presim edhe ardhjen e të gjithë qytetarëve që kanë kaluar nëpër kampin e Bllacës. Numri i tyre është diku rreth 44.000”, i ka thënë Lluka gazetës “Zëri”.
Më tutje ai ka treguar se ky manifestim do të jetë i hapur për të gjithë të interesuarit e sidomos ata që e kanë përjetuar kampin e Bllacës. Përveç trenit të vitit 1999, që do të niset për t’u vendosur si muze, Lluka ka njohur se një tren tjetër do të niset nga Mitrovica dhe do të ndalet në të gjitha qendrat e Kosovës për t’i bartur qytetarët e interesuar deri në Bllacë.
“Aty do të ketë edhe një koncert të ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve ‘Shota’. Do të ketë edhe një ekspozitë me fotografi nga kampet e refugjatëve të një fotografi shqiptar i cili jeton në Bruksel, Hasan Krasniqi”, ka treguar zyrtari i Qeverisë.
E përveç fotografive e valleve, në 20-vjetorin e eksodit të shqiptarëve të Kosovës nuk do të mungojë as poezia.
Në Bllacë do të mbahet edhe një takim i poetëve, ku do të mblidhen 77 dashamirë të fjalës së shkruar dhe do të lexojnë poezi në kuadër të temës “Eksodi 1999”. Nën përkujdesjen e shkrimtarit Hasan Qyqalla janë zgjedhur këta poetë, që kanë konkurruar në konkursin i cili qëndroi i hapur deri më 31 mars. Në listën e publikuar shohim emra si Afrim Demiri, Hajdin Morina, Anton Marku, Ismet Aliu, Diella Çitaku etj. Pjesëmarrësit janë përzgjedhur nga të gjitha vendet shqipfolëse, si dhe nga diaspora.
Ky përvjetor i veçantë do të shënohet edhe në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Aty më 8 prill do të jepet premierë shfaqja “Bryma e vdekjes” e regjisores Burbubqe Berisha, tekst i Milazim Krasniqit.
Regjisorja Berisha për gazetën “Zëri” ka thënë se e sheh shumë të rëndësishme që ky përvjetor të shënohet edhe në një mënyrë të tillë, përmes artit. “Unë jam përkrahëse e dramaturgjisë vendore. Më vjen mirë që në Teatrin Kombëtar të Kosovës së fundmi po shohim edhe më shumë shfaqje nga shkrimtarët dhe nga dramaturgët tanë.
Teksti ‘Bryma e vdekjes’, nga Milazim Krasniqi, më është besuar mua nga Teatri Kombëtar i Kosovës. Personalisht kam shumë respekt për këtë shkrimtar dhe i kam lexuar të gjitha veprat e tij. Edhe po ta zgjidhja vetë tekstin besoj që zgjedhja ime nuk do të ndryshonte sepse ‘Bryma e vdekjes’ është një vepër shumë e mirë. Teksti flet për përjetimet e shqiptarëve të Kosovës në Bllacë nga lufta e fundit. Pra e trajton një lloj eksodi që ne e kemi përjetuar. Përderisa po i afrohemi një përvjetori të rëndësishëm të asaj ngjarjeje, besoj që kjo shfaqje do të pranohet mirë dhe do të përkrahet nga publiku”, ka thënë Berisha.
Përveç premierës, shfaqja do t’i ketë tri repriza gjatë muajit prill. Repriza e parë do të jetë më 9 prill, e dyta më datën 16, kurse e treta më 17 prill. Si premiera, ashtu edhe të gjitha reprizat do të fillojnë nga ora 20:00.
