Aktuale
Themelohet njësia zbatuese për “Autostradën e Dukagjinit”
Javë më parë Minsitria e Infrastrukturës ka dhënë tenderin për hartimin e projektit zbatues për ndërtimin e “Autostradës së Dukagjinit”.
E sot po kjo ministri ka mbajtur takim e parë me kryesuesit e Komitetit Drjetues Ndërministror për zhvillimin e këtij projekti ku është aprovuar themelimi i Njësisë për Zbatimin e Projektit të “Autostradës së Dukagjinit”. Njësi kjo e cila do të jetë përgjegjëse për mirëmbajtjen e projektit dhe koordinimin e punëve.
“Njësia për zbatim të projektit do të përbëhet nga anëtarë të specializuar në fusha të caktuara që kanë të bëjnë me infrastrukturën rrugore, prokurimit, ekonomisë, ndikimit socio-ekonomik etj. Njësia për zbatim të projektit do të propozohet me vendim të veçantë nga ministri Lekaj, ku do të përcaktohen edhe detyrat dhe përgjegjësitë e anëtarëve të kësaj njësie, kurse komiteti do të jetë organi vendimmarrës i cili aprovon themelimin e kësaj njësie”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Infrastrukturës.
Gjatë këtij takimi Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, i ka njoftuar anëtarët lidhur me nënshkrimin e kontratës për projektim të kësaj autostrade, e cila do të jetë e gjatë prej 91 kilometrash. Kompania projektuese do të ofrojë tri opsione për trasenë e kësaj autostrade dhe komiteti do të jetë autoriteti që përcakton se cila nga opsionet do të implementohet.
Autostrada e Dukagjinit deri më tani është më e gjata në Kosovë.



