Aktuale
Thellohet skandali me “Unazën e Re”, anulohet tenderi
Komisioni i Prokurimit Publik ka rrëzuar Autoritetin Rrugor Shqiptar për tenderin e Unazës së Madhe. Pas hedhjes poshtë të tenderit për ndërtimin e tunelit Kardhiq-Delvinë, KPP nxori dje një tjetër vendim që rrëzon tenderin e Unazës së Madhe. Vendimi i KPP lidhet konkretisht me procedurën “Rehabilitimi i segmentit rrugor “Mbikalimi pallati me shigjeta – Rreth rrotullimi Shqiponja”, Loti I”.
Në atë periudhë ARRSH u ndesh me replikat e dy prej pesë kompanive që u skualifikuan menjëherë nga gara, “Salillari” dhe “Bajrami N”. Duke u nisur nga ky ankimim i depozituar nga Bashkimi i Operatorëve “Salillari” dhe “Bajrami N”, KPP rrëzoi vendimin e ARRSH duke sjellë ndryshim në lidhje me fituesin e tenderit të atëhershëm, Bashkimi i Operatorëve “Vëllezërit Hysa”.
“Autoriteti kontraktor të anulojë vendimin e KVO-së për skualifikimin e bashkimit të operatorëve ekonomikë “Salillari” sh.p.k. & “Bajrami N” sh.p.k. dhe të korrigjojë shkeljet e konstatuara si më sipër, duke e kualifikuar këtë operator ekonomik. Autoriteti kontraktor brenda 10 ditëve të vërë në dijeni Komisionin e Prokurimit Publik për zbatimin e vendimit, duke dokumentuar veprimet e kryera. Ngarkohet zyra e financës të kryejë veprimet për kthimin e tarifës financiare të paguar nga bashkimi i operatorëve ekonomikë “Salillari” sh.p.k. & “Bajrami N” sh.p.”, thuhej në vendim.
Ky është vetëm një nga problemet që po trazon ARRRSH-në, duke mos harruar skandalin e falsifikimit të dokumenteve nga Bashkimi i Operatorëve “DH Alabania”. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka skualifikuar pesë kompani nga tetë që morën pjesë në procedurën e ofertimit. KPP nuk është mjaftuar me kaq, si institucion ka pranuar vetëm ankesën e kompanisë “Salillari” duke mohuar kështu ankesën e një tjetër kompanie, e cila pretendon se është përjashtuar nga gara për tenderin e Unazës së Madhe pa të drejtë. Në këtë situatë, rezulton të jetë hera e dytë që KPP rrëzon vendimet e ARRSH.
Kompanitë që garonin
Pas rihapjes së tenderit në muajin qershor të këtij viti, në garë morën pjesë këto 8 kompani: “Alb Building” sh.p.k. & “Euroteorema Peqin” sh.p.k. &; “Liqeni VII” sh.a. & “Communication Progres” sh.p.k., Bashkimi i operatorëve ekonomikë “Salillari” sh.p.k. & “Bajrami N” sh.p.k. Bashkimi i operatorëve ekonomikë “Vëllezërit Hysa” sh.p.k. & “Be – Is” sh.p.k., Bashkimi i operatorëve ekonomikë “2 T” sh.p.k. & “G.P.G. Company” sh.p.k., Bashkimi i operatorëve ekonomikë “Gjoka Konstruksion” sh.a. & “Shansi Invest” sh.p.k. Bashkimi i operatorëve ekonomikë “Curri” sh.p.k. & “Alba Konstruksion” sh.p.k., Bashkimi i operatorëve ekonomikë “Vega” sh.p.k. & “Alko Impex General Construction” sh.p.k., “Gener 2” sh.p.k. Nga të cilat 5 u skualifikuan menjëherë. Mes kompanive të kualifikuara, pra “Curri sh.p.k”, “Vega sh.p.k”, dhe “Vëllezërit Hysa sh.p.k” referuar vlerës më të ulët të ofruar, fitues u shpall Bashkimi i operatorëve ekonomikë “Vëllezërit Hysa” sh.p.k. & “Be – Is” sh.p.k. të cilët për realizimin e veprës ofruan 1.786.834.087 lekë.
Por, pas ankesës së kompanisë “Salillari” dhe vendimit të komisionit të Prokurimit Publik, i cili kualifikon bashkimin e operatorëve “Salillari” dhe “Bajrami N”, fitues do të duhet të shpallet kjo kompani, që ka ofruar 1.776.111.282 lekë, apo rreth 10.72 mln lekë më pak se “Vëllezërit Hysa”. Pra, edhe pse ka pasur pafund skandale me përzierjen e Salillarit, duket se kjo kompani sërish mund të dalë fituese