Aktuale
Thaçi e Vujanoviq me Deklaratë të përbashkët për ratifikimin e demarkacionit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një konferencë për media ka njoftuar se bashkërisht dhe në të njëjtën kohë me presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviq, kanë dalë me një Deklaratë për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.
Përmes kësaj deklarate dy presidentët u kanë bërë thirrje deputetëve që ta votojnë marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet dy vendeve në gushtin e vitit 2015.
Këtë marrëveshje e kishte nënshkruar Thaçi si zëvendëskryeministër dhe ministër i punëve të jashtme të Kosovës.
Kjo deklaratë e dy presidentëve erdhi pas vizitës dy ditëshe të kryeministrit malazez, Dushko Markoviq.
Të enjten, pas takimeve të kryeministrit malazez me Thaçin dhe Kadri Veselin, opinioni u njoftua të ishte arritur ujdia për nënshkrimin e një aneks marrëveshje, e cila parashihte miratimin e demarkacionit në ditët në vijim.


Haradinaj thotë u arrit marrëveshja për korrektim të kufirit në Çakorr e Zhleb
Marrëveshjen për korrektimin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi e arritur mes dy presidentëve të të dyja shteteve e ka përkrahur edhe Kryeminsitri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
“Në këtë jubile të Pavarësisë së Kosovës, jam i lumtur që sot u arrit aneks-marrëveshja per ratifikimin, rishikimin dhe korrektimin e demarkacionit me Malin e Zi. Sot u vulos që sektorët në drejtim të Çakorrit dhe Zhlepit do të rishikohen dhe korrektohen”, ka shkruar Haradinaj.
Haradinaj ka thënë se deklarata e përbashkët e Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe Presidentit të Republikës së Malit të Zi, Filip Vujanoviq në formën e aneks-marrëveshjes si instrument ligjor obligativ ndërkombëtar i jep epilog një paqartësie dhe ndarjeje të gjatë në shoqërinë tonë.
