Aktuale
Tërnava akuzohet se po e përdorë Xhaminë e Madhe për të siguruar edhe një mandat

Myftiut Naim Tërnava duket se i ka pëlqyer qëndrimi në krye të Bashkësisë Islame të Kosovës.
Tash e 15 vjet, për tri mandate radhazi, ai e mban këtë pozitë, ndërkaq nuk po mund ta lërë atë pasi që edhe me ndihmën e Këshillave Lokalë po synon edhe një mandat në zgjedhjet, të cilat janë hapur dhe duhet të përfundojnë deri në fund të tetorit, raporton KTV.
Tërnava, për të përfituar mbështetje dhe vota edhe për një mandat, vendosi që të nisë punimet për ndërtimin e Xhamisë së Madhe në Prishtinë.
Ky veprim i tij ka ngritur reagime të ashpra.
Teologu Mustafa Bajrami ka shkruar se myftiu i jashtëligjshëm Tërnava po i mashtron besimtarët myslimanë, sepse pa marrë ende leje nga komuna, i ka shpallur të hapura punimet për ndërtimin e xhamisë.
“Është mashtrim i keq ky. E ky mashtrim perfid po vjen me rekomandimin e të vetëquajturit myfti i Kosovës. Ai po luan me ndjenjat e myslimanëve. Ai, nëpërmes kësaj loje po insiston që prapë dhe në mënyrë të jashtëligjshme e uzurpuese të zgjidhet për herë të katërt myfti i Kosovës. Më parë ai dërgoi në haxh pa pagesë punonjës të Bashkësisë Islame, në mënyrë që më pastaj ata ta votojnë për myfti”, ka thënë Mustafa Bajrami, teolog.
Ndërkaq, Xhabir Hamiti kandidimin e Tërnavës e sheh si pangopësi.
“Me këtë strukturë organizative, fatkeqësisht, në këtë institucion nuk ka as zgjedhje e as zgjidhje . Xhamia, si dhe asnjë faltore tjetër nuk duhet të shërbejë për politika ditore të askujt, sepse qëllimi pastaj kalon në hipokrizi dhe del nga suazat e sinqeritetit dhe spiritualitetit”, ka thënë Hamiti.
Krejt këto nuk qëndrojnë, sipas BIK-ut.
Në komunën e Prishtinës thonë se BIK- u ka marrë leje vetëm për kushtet ndërtimore, por ende nuk ka leje ndërtimi , rrjedhimisht, sipas tyre, nuk guxon të nisë ndërtimi i objektit të kësaj xhamie.
Për t’ia lejuar vetes edhe një mandat të tretë, myftiu Tërnava edhe në vitin 2013 ishte angazhuar mjaft. Kishte arritur ta ndërronte statutin e brendshëm të zgjedhjeve, i cili të njëjtit deri në atë vit, nuk ia lejonte të jetë në krye të këtij institucioni fetar më shumë se dy mandate.
