Aktuale
Termokosi “ngrihet”, s’ka zgjerim rrjeti në Prishtinë
Një prej premtimeve të kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti ishte zgjerimi i rrjetit të ngrohjes. Por, ky premtim tashmë po mbetet i parealizuar.
Në tetor nis sezoni i ngrohjes. Po në tetor mbahen zgjedhjet lokale, por nuk do të ketë shtrirje të rrjetit të ngrohjes në asnjë lagje të Prishtinës.
Dy lagjeve urbane, “Mati 1” dhe Kalabrisë i ishte premtuar se do të lidhen me Termokosin. Megjithatë, ndërmarrja komunale nuk e ka në projekt një gjë të tillë.
Zëdhënësja e “Termokosit”, Afërdita Uka-Fejzullahu ka thënë se zgjerimi i rrjetit të ngrohjes është në fazën e tretë të projektit të kogjenerimit e cila është duke u zhvilluar në bashkëpunim me Komisionin Evropian, shkruan Insajderi.
“Aktualisht Komisioni Evropian është duke zhvilluar procedurat tenderuese për këtë çështje. Pra, realisht këtë vit nuk do të ketë zgjerim të rrjetit të ngrohjes për lagjen ‘Kalabria’ dhe ‘Mati 1’, ka thënë Uka-Fejzullahu.
Ajo ka treguar se të gjitha detajet sa i përket zgjerimit të rrjetit do të bëhen publike pas përfundimit të këtyre procedurave, në bashkëpunim të plotë me Komisionin Evropian dhe donatorët tjerë të këtij projekti.
Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti u kishte premtuar qytetarëve se gjatë mandatit të tij qeverisës të gjithë do të lidhen me ngrohje qendrore.
“Mund të them se na pret një vit pa probleme me ngrohje, mirëpo jemi të përgatitur për të gjitha skenarët. Dua të potencojë se me kyçjen e bllokut B2 në sistemin e ngrohjes ka përfunduar faza e parë e sistemit të koogjenerimit. Tash do të vazhdojmë me fazën e dytë që do të jetë riparimi i 50 nënstacioneve në Komunën e Prishtinës. Kjo na siguron ngrohje edhe më cilësore”, kishte thënë kryetari Ahmeti.
Gjatë vitit të kaluar shumë pjesë të kryeqytetit si lagjja Kodra e Diellit, një pjesë e Katedrales dhe Universiteti procesi i ngrohjes kishte filluar me një javë vonesë.
Sezoni i ngrohjes sipas ligjit për ngrohje dhe rregulloreve të ZRRE-së, varësisht nga kushtet klimatike fillon më 15 tetor, ndërsa përfundon më 15 prill të vitit vijues.