Aktuale
Tenderi 110 milionësh, ministri Bislimi i shkruan Abdixhikut për shkeljet ligjore
Ministria e Infrastrukturës e cila deri para dy javësh ishte udhëhequr nga ish-ministri Pal Lekaj më 13 janar 2020, ka publikuar njoftimin për kontratë për “Ndërtimin e Auto-udhës A7.1 Kryqëzimi në disnivel A6 A7.1 (Banullë) – Dheu i Bardhë, pjesa Udhëkryqi Bresallc -Dheu i Bardhë.
Ky projekt me vlerë mbi 110 milionë euro nuk ka qenë i parashikuar në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2019-2021.
Pas formimit të qeverisë “Kurti”, menjëherë pas ardhjes në krye të detyrës ministri i ri i Infrastrukturës dhe Ambientit(MIA), Lumir Abdixhiku doli në një konferencën për media më, 7 shkurt, ku tha se ka iniciuar procedurat ligjore për anulimin e tenderit 110 milionësh të shpallur nga qeveria në largim e Ramush Haradinajt.
“Sot kam kërkuar nga organet përkatëse që urgjentisht të anulohet tenderi i shpallur nga ish-ministri i Infrastrukturës për ndërtimin e autostradës Banullë- Dheu i Bardhë’’, është shprehur Abdixhiku.
Këto procedura tashmë kanë filluar dhe janë në fazën përfundimtare drejt anulimit të këtij mega tenderi mbi 100 milion euro.
Indeksonline ka siguruar një shkresë zyrtare nga ministri i ri i Financave dhe Transfereve Besnik Bislimi dërguar ministrit Abdixhiku para dy ditësh, pra më 12 shkurt 2020.
Në këtë shkresë ministri Bislimi thotë se me hapjen e këtij tenderi qeverisja e kaluar ka bërë shkelje të ligjit për menaxhimin e financave dhe prokurimit publik konkretisht nenin 36 paragrafi 1 dhe nenin 9 paragrafi 2 ku konkretisht thuhet se:
“Para inicimit të një procesi të prokurimit i cili ka për qëllimtë rezultojë në ngritjen e një obligimi në vitin aktual fiskal. Organizata Buxhetore i regjistron të gjitha zotimet e fondeve të ndara në SIMFK në përputhje me aktet nënligjore”.
Më tej, ministri Bislimi thotë se “Ministria e Financave dhe Transfereve përmes kësaj shkrese ju përkujton se në mungesë të ligjit vjetor për ndarjen buxhetore, përkatësisht në mungesë të zotimit të mjeteve të buxhetit, asnjë projekt nuk mund të iniciohet dhe nënshkruhet, në pajtim me LMFPP Neni 36 (1), Rregullorja Nr. MF 01/2013 për shpenzim të parasë publike (Neni 12, 14 dhe 15)
Në letrën e ministrit të Financave dhe Transfereve dërguar ministrit Abdixhiku, Bislimi thotë se është përgjegjësi e Ministrit dhe Sekretarit të përgjithshëm të ministrisë zbatimi I ligjit për kontrollit të brendshëm dhe legjislacionit në fuqi të Republikes së Kosovës.
E, përgjegjësit kryesor për këto shkelje janë pikërisht ish ministri Pal Lekaj dhe Sekretari i Përgjithshëm i kësaj ministrie Betim Reçica të cilët në bazë të ligjit kanë bërë shkelje të hapura kur kanë filluar procedurat për hapjen e këtij tenderi.
Tashmë është në dorën e ministrit të ri të MIA Lumir Abdixhiku për të masa drejt anulimit përfundimtar të këtij tenderi. Ndërsa mbete të shihet nëse prokuroria e shtetit do të filloj hetimet për këtë tender të dyshimtë.