Aktuale
Tender 520 milionë lekë për sheshe dhe fasada

Bashkia e Tiranës kontrakton një kompani private për rregullimin e 11 hapësirave të vogla. Kosto e projektit u përgjysmua në muajin dhjetor kur u hap gara. Dyshime për garën dhe kompaninë fituese.
Fasadat dhe rregullimi i hapësirave të vogla në kryeqytet do të kushtojnë këtë vit 52 milionë lekë. Bashkia e Tiranës ka shpallur tenderin në fund të dhjetorit, ndërsa dy ditë më parë është shpallur edhe fituesi. Bëhet fjalë për kompaninë Aurora Konstruktion, e cila ka fituar garën përballë dy operatorëve të tjerë, të cilët janë skualifikuar për shkak të mosplotësimit të disa kritereve teknike, ndërsa shpallja e fituesit shënjohet me redflag (flamur të kuq). Skualifikimi nga gara i konkurrentëve, në praktikën e prokurimeve konsiderohet një ngjarje ose rrethanë që tregon një shqetësim apo ekspozim mbi rrezik potencial të pajtueshmërisë ligjore për sjellje të paligjshme ose joetike të biznesit, veçanërisht në lidhje me praktika korruptive dhe mosrespektimit të ligjeve anti-korrupsion.
Projekti
Në programin e zhvillimit të qytetit për vitin 2019, dokumentet e bashkisë llogarisnin riparimin e 11 mikrohapësirave me vlerë 100 milionë lekë.
Ky propozim është dokumentuar paralelisht me çeljen e tenderit në muajin dhjetor, dhe nuk dihet pse shuma është përgjysmuar gjatë përcaktimit të fondit limit në prokurime. Sipas përshkrimit të përgjithshëm, vlerësohet nga ana e institucionit se projekti ka si qëllim krijimin e hapësirave publike dhe rikonceptimin e atyre ekzistuese.
Faza e pare e projektit nis me 11 hapësira publike në pole tashmë të krijuara, të dukshme dhe me ndikim të menjëhershëm ku në të ardhmen projekti mund të vazhdojë në formë zgjerimi drejt brendësisë së lagjeve dhe periferisë. Parashikohen 3 tipologji ndërhyrjeje në mikrohapësirat publike: Hapësirat Publike të ndërmjetme, ritrajtim i hapësirave ekzistuese dhe hapësirat publike mes pallateve.
Hapësirat publike të ndërmjetme transformojnë hapësirat e mbipërdorura dhe të panevojshme për qarkullimin e makinave në hapësira publike. Këto hapësira publike rikonfigurojnë kryqëzime që janë të pasigurta apo të papërdorura, duke i kthyer në një peizazh të qytetit e duke impaktuar lagjen e bizneset përreth. Në këtë projekt janë 7 hapësirat publike të ndërmjetme: Kafe Flora, Kont Urani, Selvia,Medreseja, Stadiumi Dinamo,blloku Partizani. Ritrajtimi i hapësirave publike ekzistuese në këtë projekt janë: Sheshi i Kasharit, Lulishtja Çajupi, 5 Maji.
Hapësirat Publike mes pallateve në këtë projekt janë: Blloku i banimit Laprakë dhe Selita”. “Bashkia e Tiranës me ndërhyrjet në hapësirat publike (Sheshi Skënderbej, Pazari i Ri, Liqeni, Bulevardi i ri, Lojërat për fëmijë etj.,) ka treguar përthithjen e menjëhershme nga banorët e qytetit të këtyre hapësirave, duke treguar në të njëjtën kohë mungesën e tyre për një kohë të gjatë në strukturën e qytetit. Kjo ka ndikuar në përjetimin më intensiv të qytetit, ka rritur vlerën e pronave rreth tyre, si dhe ka rritur në mënyrë të ndjeshme ofertën për turistët. Si një nevojë imediate këto investime janë përqendruar kryesisht në zonën qendrore të qytetit.
Projekti i mikrohapësirave publike vjen si vazhdimësi e konceptit për një qytet me të mirë me fokus këmbësor”, përshkruhet në relacionet e projekteve.

Fituesi
Kompania Aurora Konstruksion administrohet nga 4 aksionerë, Agron e Valbona Jaupllari, si dhe Astrit Haxhiu e Sabri Keço. Me një kapital themeltar prej 99 milionë lekësh, kjo kompani e themeluar në vitin 2000 ka fituar 8 kontrata publike, ndërsa kryen veprimtari në fushën e ndërtimit, prodhim, montim të çdo lloj qofshin civile, industriale apo bujqësore, ndërtim linja elektrike, hidraulike, ujësjellës, kanalizime, rrugë, prita, ura, tunele, vepra arti e restaurime.
Në fushën e studimit, projektimit, ndërtimit e shfrytëzimit të objekteve civile, industriale, bujqësore, HeC-ve, gurore, gjithë llojeve të materiale të ndërtimit si inerte, betoni, parafabrikate të ndryshme dhe konstruksion e tubacione metalike të të gjitha llojeve etj. Kryerja e çdo lloj operacioni dhe transaksioni në lidhje me importimin, eksportimin, prodhimin dhe tregtimin me shumicë dhe pakicë të mallrave të ndryshme ushqimore, industriale, bujqësore e blegtorale.
Veprimtarin e shkëmbimeve valutore, transfertave dhe postave brenda dhe ashte vendit. Ruajtje transport dhe përdorim të lëndëve plasëse në Shqipëri dhe jashtë saj. Transport mallrash e udhëtaresh me mjete rrugore, detare dhe ajrore brenda dhe jashtë vendit. Vlen të theksohet se administratori i kompanisë, Jaupllari është pjesë e listës së zezë të ndërtuesve të shpallur afro një vit më parë nga ALUIZNI me një tjetër firmë ndërtimi.

Amortizime
Pas fushatës së pemëve dhe asaj të biçikletave, bashkia e Tiranës po i mëshon fort idesë për shfrytëzimin e hapësirave të vogla në lagje dhe pranë rrugëve kryesore, një formë e re kjo që së jashtmi merr përgëzime nga qytetarët, por nga ana tjetër ngre dyshime për matjen e shpenzimeve që kryhen me paratë e taksapagueseve. Por, këto hapësira, deri më tani kanë rezultuar të jenë ineficente. Të tilla kanë dalë rezultatet e një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit për 26 këndet e lojërave që janë ndërtuar deri më sot. “Që nga momenti i krijimit, Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit, pavarësisht nga përpjekjet, nuk ka vepruar në mënyrë eficente për të identifikuar prioritetet kryesore sa i takon planifikimit, ndërtimit dhe mirëmbajtjes së parqeve rekreative, veçanërisht për këndet e lojërave. Prej vitit 2016 janë ndërtuar 26 kënde lojërash të rinj, një pjesë e konsiderueshme e të cilave, nuk plotësojnë kushtet dhe kriteret e praktikave më të mira. Gjithashtu janë evidentuar kënde lojërash ekzistues të cilat janë plotësisht të amortizuara dhe nga ana e APR-së nuk është marrë asnjë iniciativë për riparimin dhe kthimin e tyre në gjendje funksionale” thuhet në raportin e KLSH. I njëjti raport nënvizon se nga ana e Bashkisë nuk është bërë ndonjë planifikim apo strategji afatmesëm apo afatgjatë që të përfshijë parqet rekreative apo këndet e lojërave.
Shpenzimet
Për këtë vit Bashkia e Tiranës planifikon të shpenzojë 18.3 miliardë lekë investime, ku peshën më të madhe e zënë shpenzimet operative dhe ato te personelit me 62 për qind. Sipas projektbuxhetit 2019-2021, shpenzimet e përgjithshme të Bashkisë për periudhën 3-vjeçare, për të gjitha funksionet parashikohen respektivisht në masën 18,3 miliardë lekë, 17,2 miliardë lekë dhe 16,4 miliardë lekë, me rënie nga viti në vit. Në parashikimet e tre viteve buxhetore është përfshirë edhe fondi që planifikohet të mbartet nga vitet paraardhëse. Konkretisht, sa i përket vitit 2019, shpenzimet kapitale apo ato që shkojnë për investime, zënë rreth 7 miliardë lekë. Ndërsa pjesa tjetër prej 11.3 miliardë lekësh do të shkojë për pagat e personelit dhe shpenzimet e tjera operative. Raporti mes shpenzimeve korrente dhe atyre kapitale është respektivisht 62% me 38% për vitin e ardhshëm, ndërsa në periudhë afatmesme parashikohet një rritje e lehtë investimesh në vitin 2020 me 7.1 miliardë lekë dhe më pas rënie në vitin 2021, në 5.9 miliardë lekë.

Investimet
4 hapësira në një rrugë, shpenzimet të çmendura
Në relacionin e bashkisë, në pjesën ku detajohen projektet për ndërhyrje, riparim, rehabilitim etj., vihen re një sërë projektesh ku vlera e investimin kap shifra alogjike. Një prej tyre është edhe projekti për riparimin e Bulevardi “Zogu i Parë”, nga Hotel Tirana dhe përfundon te ish-stacioni i Trenit. Në ndërhyrjet e saj në infrastrukturën brenda qytetit, bashkia e Tiranës planifikon të kryejë punime në Bulevardin Zogu i Parë. Sipas përshkrimit, të dalë nga Aparati i Bashkisë, thuhet se “rehabilitimi i këtij segmenti parashikon ndërhyrjen për përmirësimin e shtresave rrugore, trotuareve rrjetin e kanalizimeve të ujërave të shiut, ndriçimin rrugor e gjelbërimin. Ky projekt parashikon gjithashtu unifikimin e fasadave, si dhe krijimin e 4 mikrohapësirave, gjatë këtij aksi, të cilat do të shërbejnë për aktivitete të ndryshme. Në projekt nuk parashikohet ndryshimi i profilit tërthor të rrugës”. Por, ajo çka bie në sy në këtë projekt, i cili konsiston vetëm në riparim është kostoja e tij. Plot 850 milionë lekë (rreth 8 milionë dollarë) do të shpenzohen për 600 metra rrugë. Një rrugë, e cila ndryshe nga Unaza e Re nuk ka as vepra arti, dhe as tunele e mbikalime. E llogaritur në vijë kilometrike, kosto e përgjithshme e rrugës del 15 milionë dollarë për kilometër. Një tjetër projekt për rehabilitimin e fasadës së një pallati në kryqëzimin e rrugës së Dibrës me Unazën e Vogël, do të kushtojnë plot 32 milionë lekë. “Ky objekt ndodhet në kryqëzimin e Unazës së Vogël me rrugën e Dibrës në qendër të Tiranës dhe ka si qëllim harmonizimin e tij me mjedisin përreth. Fasada e këtij objekti është e amortizuar dhe në pjesë të veçanta e dëmtuar. Projekti parashikon unifikimin e fasadës me ndërhyrje në riparimin dhe lyerjeve e fasadës. Kjo ndërhyrje do të kryhet duke ruajtur arkitekturën ekzistuese të objektit”, shkruhet në përshkrimin e investimit. Pra, vetëm boja e pallatit do të kushtojë 32 milionë lekë. Më tej, bashkia synon të investojë edhe për rikonceptimin e parkut Rinia (parqe, shkallare, sheshe pushimi etj) dhe për rikonceptimin e kopshtit zoologjik pranë liqenit artificial në një sipërfaqe 5 hektarë. Shpenzimi për të dy projektet së bashku do të jetë mbi 900 milionë lekë (8.2 milionë dollarë).
