Aktuale
Temperaturat e ulëta vonojnë punimet në hyrje të Prishtinës, Veternik
Punimet për zgjerimin e rrugës nacionale bashkë me urën për kyçje në autostradën ‘Ibrahim Rugova’ në lagjen Veternik të Prishtinës kishin filluar në fund të muajit korrik.
Zyrtarët e lartë nga Ministria e Infrastrukturës premtuan se kjo urë e cila e mundëson qarkullimin nga Ferizaji në drejtim të Prishtinës do të jetë e gatshme me 15 nëntor. Por punimet në këtë urë ende nuk kanë përfunduar, madje menaxheri i këtij projekti ndërtimor, Isa Berisha, i tha RTK-së se për shkak të temperaturave të ulëta tani janë duke u realizuar vetëm punime të kufizuara. Ndërsa punimet e zgjerimit dhe asfaltimi final i rrugëve nuk mund të fillojnë deri në muajin prill.
Në gusht të këtij viti zëvendës ministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, pati premtuar se ura e lagjes Veternik, e cila mundëson kyçjen në autostradën ‘Ibrahim Rugova’, më 15 nëntor do të jetë e gatshme për qarkullim.
Tashmë kanë kaluar afër dy muaj nga koha kur ishte planifikuar të lëshohet ura për qarkullim, por punimet ende nuk kanë përfunduar.
Madje menaxheri i këtij projekti , Isa Berisha thotë se për shkak të temperaturave të ulëta punimet janë ndërprerë që nga data 15 dhjetor. Aktualisht po punohet vetëm në finalizimin e rrethrrotullimit.
“Për shkak të fillimit të sezonit dimëror prej periudhës 15 dhjetor deri me 1 prill punimet në ndërtimin e rrugëve ndërpriten, ne për moment për shkak të ditëve të ftohta dhe pa reshje, jemi duke bërë disa punë të kufizuara, ndërsa në pjesën e rrugës nuk ka mundësi të punohet në këtë periudhë”, tha ai.
Berisha thotë se punimet në urë do të rifillojnë në prill, ndërsa projekti si tërësi do të përmbyllet në muajin maj.
‘Duke e llogarit periudhën e dimrit besoj që deri në maj do të përfundojnë të gjitha punimet dhe do të lëshohet për qarkullim. Mundësia është se shtresa finale, asfaltimi, nuk mund të kryhet para asaj kohe”.
totale e ndërtimit të kësaj rruge është 2 milionë e gjysmë, shumë kjo e cila është shfrytëzuar nga buxheti i Ministrisë së Infrastrukturës. Por zgjerimi deri në 6 korsi në dy drejtimet pritet që ta zbusë në masë të madhe mbingarkesën e trafikut rrugor.
Deri në maj kur edhe është planifikuar të përfundojnë punimet, ngasësit e automjeteve do të përballen me kolona të gjata në rrethrrotullimin e lagjes Veternik.