Aktuale
Telekomi i Kosovës: Kompanitë e ndërtimit po dëmtojnë rrjetin
Rrjeti telekomunikues i Telekomit të Kosovës, ditëve të fundit po përballet me prishje të përditshme. Këto dëmtime, sipas Telekomit shkaktohen nga individë dhe kompani të ndryshme private, të cilat merren me ndërtime dhe punë të ndryshme infrastrukturore, duke shkaktuar kështu ndërprerje të përkohshme të shërbimit telekomunikues.
Kështu ka njoftuar, Drejtori Ekzekutiv i Telekomit, Bedri Istrefi përmes një shkrimi në Facebook.
“Telekomi i Kosovës i kushton rëndësi të madhe performancës së rrjetit, me qëllim që konsumatorëve t’u ofrojë shërbim cilësor dhe pa pengesa, duke mbetur kësisoj udhëheqës i shërbimeve telekomunikuese në vendin tonë. Megjithatë, rrjeti ynë telekomunikues përballet me prishje të përditshme që shkaktohen nga individë dhe kompani të ndryshme private, të cilat merren me ndërtime dhe punë të ndryshme infrastrukturore, duke shkaktuar kështu ndërprerje të përkohshme të shërbimit telekomunikues”, ka shkruar ai në facebook.
Ai ka thënë se ekipet e Telekomit vazhdimisht punojnë për iaprimin e dëmtimeve.
“Duke falënderuar konsumatorët tanë për mirëkuptimin e tyre, ne megjithatë arrijmë që t’i sanojmë defektet e shkaktuara në afatin më optimal, duke rikthyer komunikimin në nivelin e duhur. Për më tepër, ekipet tona gjatë gjithë kohës monitorojnë rrjetin dhe punojnë për riparimin e kabllove dhe ruajtjen e stabilitetit të sistemit operativ, sidomos në kohën kur, Telekomi i Kosovës ka zgjeruar gamën e shërbimeve dhe produkteve të reja, të cilat janë shumë atraktive dhe të leverdishme për të qytetarët e vendit tonë”, ka thënë ai.