Arkitekturë
Të projektosh një apartament të stilit modern

HAPËSIRA e këtij apartamenti është një sipërfaqe e konsiderueshme, për t’u ideuar me të njëjtën frymë. Të zotët e kësaj shtëpie, u përkasin tre brezave, kështu që na është dashur të përdorim elemente që t’i përfaqësojnë të gjithë nga pak. «
STILI MODERN
Që në fillim na u paracaktua se objekti do të trajtohej në stilin modern dhe kjo gjë kërkon përgatitje nga ana e projektuesit, sepse ndryshe nga stili klasik që është i mbështetur në skema dhe module të paracaktuara që arkitekti duhet vetëm t’i respektojë, në raste të tilla projektimi mbështetet në ekuilibrin e raportit hapësirë-vëllim, pa dekore. Kjo është një pikë e fortë e studios “Arkitekti-Im”.

MATERIALET E PËRDORURA:
» Dru me ujëra natyrale;
» Element skeletik prej metali;
» Mobilie me linja të drejta;
» Dyer virtuale, mobilie me akses virtual mes dy hapësirave;
» Elemente ndriçimi të kompozuara enkas në përshtatje me atmosferën, si: ndriçuesit tavanorë dhe heksagonët muralë me led.
HOBI: pasioni i familjarëve janë lulet dhe jo vetëm si objekt i bukur dekorativ, por edhe për nga ana funksionale dhe efektet shëndetësore që ato kanë. Në planin kryesor, pranë oxhakut, është konceptuar një motiv me dy komponentë florealë, i cili simbolizon ciklin e jetës, të ripërtëritjes dhe të trashëgimisë, e cila është njësoj si në botanikë dhe në jetën njerëzore “rimishërim dhe trashëgimi”.
PËRVEÇ KOMPOZIMIT NË FAQEN E MURIT, që është realizuar me allçi, elementet floreale janë të pranishme kudo, edhe në vazo të dizajnëve dhe formave të ndryshme.

NDARJA MES SALLONIT DHE HAPËSIRËS SË GATIMIT është bërë në mënyrë virtuale, me anë të një paneli metalik dhe druri, i cili më së shumti është i dekoruar me elemente floreale dhe libra. Një element shumë i rëndësishëm në të dyja hapësirat, është DRITA NATYRALE që sigurohet nga vetratat e larta, dhe e theksoj, pa perde, të cilat shohin nga veranda.
KUZHINA
Është një hapësirë sa e ndarë nga salloni, aq edhe e integruar me të. Ajo ka një banak ngrënieje për mëngjesin dhe mbajtjen e shisheve të verës. Materiali i përdorur është druri në dy ngjyra: kafe të errët dhe të bardhë. Kjo zonë është një hapësirë mjaft e bollshme dhe shumë funksionale.

NË SALLON bien në sy ndriçuesit në trajtë spotesh që udhëzojnë për një ritëm të caktuar, ndriçimi i fshehtë led dhe ndriçuesi qendror i mbështetur, prapë në linjën urbane me elemente metali dhe led.
DHOMA MATRIMONIALE
Është punuar me linja moderne, të qeta, ku si kokë krevati është vendosur një panel i veshur me tapiceri dhe i punuar në linjë horizontale. Për ta shmangur asimetrinë, komodinat janë dizajnuar me një element të sfazuar majtas-djathtas.

TUALETET
Mund të themi me bindje se në tualete është bërë një punë e shkëlqyer. Faqet e veshura të mureve janë pa fuga, pra, një njësi e vetme, dhe të mendosh që puna aty është shumë e vështirë, duke ditur se për një faqe muri mund të kryhen më shumë se pesë ose gjashtë ndërhyrje hidraulike. Ndriçimi në tualete është tavanor dhe led; në formën e një dantelle decorative të realizuar me “pantograph” në material peksiglas.

DHOMA E FËMIJËVE
Këtu bie në sy një harmoni ngjyrash mes grisë dhe së verdhës. Kjo dhomë është e dekoruar me motive fëmijërore dhe një kolazh fotografish në formë heksagonësh.
