Arkitekturë
Të hënën nis edicioni i 7-të i Festivalit të Arkitekturës në Kosovë

Edicioni i shtatë i Festivalit të Arkitekturës në Kosovë këtë vit do të fillojë më 1 korrik.
Tema e këtij edicioni është “Qyteti Paralel” apo “The Parallel City” që synon t’i dokumentojë dukuritë urbane që ndodhin në qytetin e Prishtinës, transmeton Ndërtimi.info.
Si çdo vit, edhe ky edicioni i një prej ngjarjeve më të mëdha arkitekturore në vend, do të ketë punëtori, shfaqje të dokumentareve, studio të hapura, debate, ekspozita e ligjërata.
Arkitektë nga e gjithë bota do të vijnë në kryeqytet për të shfaqur pranë publikut kosovar eksperiencat e tyre me ligjëratat dhe punëtoritë e ndryshme që do të mbahen. Gjatë muajit korrik do të mbahen gjashtë ligjërata përfshirë emra të ndryshëm si: urbanistja dhe fotografja Jessica Bizzoni, arkitektja e peisazhit dhe sociologia Celine Baumman, Robert Potokar, themelues dhe redaktor i revistës arkitektonike Piranesi, Jeffrey Shumaker, ish-udhëheqës i departamentit urban në qytetin e New York-ut si dhe ligjërata kryesore nga themeluesi dhe redaktori i një prej faqeve më të mëdha arkitektonike, Dezeen, Marcus Fairs.
Këto ligjërata edhe këtë vit do të mbahen në hapësirat e Kino Armata me 4, 5 dhe 6 korrik me fillim nga ora 20:00 dhe janë të hapura për publikun e gjerë, ndërsa punëtoritë e specializuara do të mbahen në hapësirat e Innovation Centre Kosovo të udhëhequra nga Celine Baumman, Jessica Bizzoni dhe Jeffrey Shumaker.
Ndërtimi.info do ju mbajë të informuar rreth të gjitha aktiviteteve që do të mbahen përgjatë të gjithë Festivalit.
