Aktuale
Të gjitha rrugët e dëmtuara, të ndërtuara në 3 vitet e fundit

Reshjet e shiut dhe të borës gjatë këtyre ditëve, kanë bërë që të shemben rrugët të cilat janë ndërtuar hiq më shumë se 3 vite më parë. Kështu ka deklaruar Zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu gjatë inspektimeve të shembjeve të disa rrugëve.
Për gjitha këto shembje ai po fajëson qeverisjen e kaluar, pasi që sipas tij këto investime janë treguesi më i mirë që qeverisja e kaluar nuk është marrë me standard tjetër të ndërtimit të rrugëve.
Rruga Botushë-Kosharë ku ka ndodhur edhe rrëshqitja, i ka kushtuar ministrisë së atëhershme rreth 800 mijë euro. Bashkë me këtë edhe punimet shtesë.
Megjithatë, Kadriu në inspektimin e kësaj rruge tha se ka kaluar koha e ndërtimit të rrugëve emergjente dhe se tashmë duhet të ndërtohen rrugë cilësore dhe të standardeve të larta.
“Sot jemi në inspektimin e rrugës Botushë-Koshare, 8.3 kilometra e gjatë, ku ka ndodhur një rrëshqitje e dheut në rrugë, investim i Ministrisë së Infrastrukturës dhe që ka patur një kosto prej 800 mijë eurosh së bashku me kostot shtesë. Këto rrëshqitje të dheut po na ndodhin në rrugë të reja të cilat janë ndërtuar në tri vitet e fundit. Ky është rasti i katër, edhe tri të tjera do t’i vizitojmë gjatë ditës. Kjo dukuri është shqetësuese për ministrinë dhe për ne që kemi marrë përgjegjësi karshi qytetarëve, për një standard të ri dhe më të mirë të rrugëve. Këto rrëshqitje po na ndodhin me reshje që nuk janë shumë të mëdha dhe në rrugë që janë lëshuar në qarkullim në vitin 2016 dhe kjo na bënë të kuptojmë që nuk ka pasur seriozitet në ndërtimin e këtyre rrugëve. Qeverisja e kaluar nuk është marrë me standard tjetër të ndërtimit të rrugëve. Ka kaluar koha e ndërtimit të rrugëve emergjente, sepse qytetarët e Kosovës duhet të kenë rrugë tjera dhe me standarde të larta”, tha Kadriu.
Për sanimin e gjendjes së rëndë atje po duhen mjetet shtesë, por për të cilën do të krijohet edhe në komision i cili do të merret me të gjitha rrugët që kanë pësuar nga rrëshqitja e dheut.
Më pas, Kadriu, vizitoj edhe segmentin rrugor nga Rakoshi në drejtim të Osojanit, saktësisht në Kërrninë, ku edhe aty, edhe pse rrugë e re ka patur degradim të rrugës dhe rrëshqitje dheu.
“Pardje kemi marrë informatën nga Menaxheri Rajonal i Pejës, Sami Maloku, se kemi një rrëshqitje në aksin rrugor Rakosh-Osojan, rrugë kjo me një gjatësi prej 8.1 kilometra, pra këtu në Kërrninë, e cila është lëshuar vitin e kaluar, dhe ka patur kosto prej 1 milion e 300 mijë eurosh. Si rezultat i kryerjes jo të mirë të punëve ka ardhur deri te shembja e kësaj pjese, ku kemi devijim rreth 40 centimetra ulje të pjesës së poshtme të kësaj traseje. Ne si Ministri e Infrastrukturës kemi sanuar gjendjen me anë të kompanisë mirëmbajtëse, në mënyrë që kjo rrugë të jetë e qarkullueshme. Kjo rrugë është ende nën garancion të kompanisë punuese, të cilës i jemi drejtuar me anë të një shkrese që të bëjë rikonstruimin e kësaj pjese të rrugës së degraduar. Këtu do të vihet një mur mbrojtës dhe kështu do të sanohet kjo pjesë e këtij segmenti rrugor”, tha Rexhep Kadriu.
Ndërkaq zëvendësministri ka thënë se për rrugët që janë nën garancion të kompanive ndërtuese nuk do të ketë implikime buxhetore, ngase ato kompani janë të obliguara që t’i sanojnë dëmet e bëra.
Kadriu ka inspektuar edhe shembjen e murit mbrojtës në gjatësi prej 12 metrash që ka ndodhur ditë më parë në aksin rrugor Prishtinë- Pejë në segmentin i cili ndodhet në Balincë.

????????????????????????????????????

????????????????????????????????????
