Featured
Të dhëna që nuk i keni ditur për Shtëpinë e Bardhë
Ndërtimi i Shtëpisë së Bardhë nisi më gurin e parë të themelit në korrik 1790 pa asnjë ceremoni formale. Ndaj dhe ka kontradikta për datën e ndërtimit të saj. Ca thonë ka filluar ndërtimi më 1 korrik 1790, disa të tjerë e shtyjnë edhe për dy javë të tjera, dmth, më 13-14 korrik.
Rezidenca kryesore, si dhe themelet e shtëpisë u ndërtuan kryesisht nga punonjës skllevër dhe të lirë afrikano-amerikanë, si dhe nga evropianë të punësuar. Pjesa tjetër e punës u krye nga emigrantët, të cilët s’kishin akoma shtetësinë. Ndërtimi fillestar u zhvillua në një periudhë prej tetë vitesh.
Pastaj u ndryshua projekti. Kur përfundoi ndërtimi, muret e ndërtuar me gurë ranorë u lyen me një përzierje gëlqereje, kafeine dhe plumbi duke i dhënë shtëpisë ngjyrën e saj karakteristike dhe emrin. Shtëpia e Bardhë ishte gati për banim rreth datës 1 nëntor 1800.
Emri
Ndërtesa fillimisht mbante disa emra, si “Pallati i Presidentit”, “Rezidenca Presidenciale”, apo “Shtëpia e Presidentit”. Të dhënat më të hershme të emrit “Shtëpia e Bardhë” janë të regjistruara në vitin 1811.
Ekziston një legjendë sipas të cilës, gjatë rindërtimit të strukturës u aplikua bojë e bardhë për të maskuar dëmtimin që kishte shkaktuar zjarri. Ndërsa një tjetër thotë se e ka origjinën nga shtëpia e Martha Custis Washington, së shoqes së George Washingtoni, e cila kishte një shtëpi të bardhë në vendin e saj të lindjes në Nju Kent, Virxhinia. Presidenti Theodore Roosevelt vendosi emrin formal “White House – Washington”.
Ndërtime dhe rindërtime
John Adams u bë presidenti i parë që banoi në Shtëpinë e Bardhë. Adams nuk jetoi gjatë në shtëpi dhe menjëherë pas tij ishte radha e Thomas Jefferson, i cili dha idetë e tij se si duhej të ndryshohej Shtëpia e Bardhë.
Sot, kolonadat e Jefferson lidhin rezidencën me Krahun Perëndimor dhe atë Lindor. Në vitin 1814, gjatë Luftës së vitit 1812, trupat britanike i vunë zjarr Shtëpisë së Bardhë dhe një pjesë e madhe e Uashingtonit u prek nga zjarret. Vetëm muret e jashtme mbetën dhe ato u desh të shembeshin dhe të rindërtoheshin pasi ishin dobësuar nga zjarri.
Pas zjarrit, të dy arkitektët, Benjamin Henry Latrobe dhe Hoban kontribuan në skicimin dhe rindërtimin e Shtëpisë së Bardhë. Portiku jugor u ndërtua në vitin 1824, gjatë presidencës së James Monroe, ndërsa ai verior u ndërtua gjashtë vite më vonë. Në vitin 1948, u deklarua rreziku i pashmangshëm i shembjes së shtëpisë, duke bërë që presidenti Truman të urdhëronte një rindërtim të plotë dhe të vendosej në shtëpinë “Blair House” nga viti 1949 deri më 1951.
Pas rindërtimit u shtua dhe ajri i kondicionuar me sistem qendror, dy pjesë shtesë tuneli, si dhe vend për t’u strehuar në rast bombardimi. Ndërkohë që struktura e shtëpisë nuk ndryshoi, shumë prej punimeve të brendshme e humbën vlerën historike. Jacqueline Kennedy, bashkëshortja e presidentit John F. Kennedy kreu një restaurim të zgjeruar dhe historik të shtëpisë me mobilie dhe vepra arti.
Shtëpia e Bardhë sot
Në Krahun Perëndimor ndodhet zyra e presidentit (Zyra Ovale) dhe zyrat e stafit të tij të ngushtë, prej rreth 50 vetash. Krahu Perëndimor gjithashtu përfshin Dhomën e Kabinetit, ky presidenti kryen mbledhjet e punës dhe ku takohet kabineti i SHBA-së. Kjo pjesë e ndërtesës është përdorur për filmimin e serialit “The West Wing”.
Krahu Lindor, i cili ka hapësirë shtesë për zyra, i është shtuar Shtëpisë së Bardhë në vitin 1942. Aty ndodhen zyrat për stafin e Zonjës së Parë dhe Zyra Sociale e Shtëpisë së Bardhë. Në Shtëpinë e Bardhë janë 132 dhoma, 35 banjo, si dhe 8 palë shkallë. Në shtëpinë zyrtare të presidentit të SHBA gjenden gjithashtu 412 dyer, 147 dritare, 28 oxhaqe, si dhe tre ashensorë.
Dhoma e Pritjeve Diplomatike është një prej tre dhomave ovale në Shtëpinë e Bardhë. Ajo është në katin përdhes dhe përdoret si dhomë pritjeje për ambasadorët e shteteve që prezantojnë kredencialet e tyre, ceremoni kjo që më parë është kryer në Dhomën Blu. Kjo dhomë është pjesa hyrëse në Shtëpinë e Bardhë dhe ka katër dyer që e lidhin me dhomat e tjera.
You must be logged in to post a comment Login