Aktuale
Tatimpaguesit e mëdhenj, 75% e kontrolleve nga zyra
Kontrollet tatimore për tatimpaguesit e mëdhenj do të realizohen më së shumti nga zyra, në bazë të analizës së riskut.
Gjatë një takimi të organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, drejtoresha e Drejtorisë së Tatimpaguesve të Mëdhenj, Enkelejda Pipa, ka shpjeguar për bizneset mënyrën se si do të ushtrohen kontrollet dhe çfarë kërkohet nga ata për të qenë më bashkëpunues.
Tashmë kontrollet në këtë drejtori janë riorganizuar dhe do të zhvillohen në dy aspekte: verifikime në vend dhe kontroll nga zyra.
“Nga 400 tatimpagues të përzgjedhur nga tatimpaguesit e mëdhenj, për 100 tatim pagues do të ushtrohet vizita fiskale, ndërsa për pjesën tjetër kontrolli do të jetë nga zyra. Kjo do të thotë verifikim, mbikëqyrje e deklarimeve që ne disponojmë ose shkëmbejmë me palët e tjera”, tha Pipa.
Sipas saj, e gjitha kjo do të bëhet për të ndërhyrë sa më pak në veprimtarinë e bizneseve. Ajo paralajmëroi se ligji do të zbatohet në mënyrë të rreptë, por tatimpaguesit nuk kanë pse të shqetësohen nëse janë korrekt me ligjin.
Ajo u shpreh se problemi kryesor që evidentohen nga kontrollet në tatimpaguesit e mëdhenj është çmimi, i cili bie mbi shpinën e konsumatorit. Ajo paralajmëroi se do të nisë verifikimi i zinxhirit të transaksioneve, për të parë se si ndryshon çmimi i mallit gjatë të gjithë hallkave nga prodhuesi e deri tek shitësit me pakicë.
Një tjetër problem shqetësues sipas Drejtoreshës së DTM, është edhe nëndeklarimi i pagave të punonjësve. Shifrat e dhëna nga ajo tregojnë se 700 pagues VIP që janë aktivë, kanë kanë 115 mijë të punësuar në listëpagesat e tyre. Nga niveli 0-30 mijë lekë janë të deklaruar 41,600 të punësuar. Nga 30 mijë–105 mijë lekë janë 62,700 punonjës, ndërsa 10 mijë që janë mbi 105 mijë lekë.
“Pra rritja deri në 23%, me tarifën, jo që s’e marrim, po ne nuk po marrim edhe tatimin normal të pagës. Kjo do të thotë që ju duhet të deklaroni pagat reale”, u shpreh Pipa.