Aktuale
Tarifa në Rrugën e Kombit e ka zanafillën në 2010-n

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se debati për tarifën e përdoruesve në rrugën e Kombit është pa vlerë, pasi Shqipëria është vendi i vetëm në Evropë dhe rajon ku nuk paguhet asnjë rrugë.
Në fjalën e tij në Kuvend, pas debateve lidhur me tarifën në rrugën e Kombit, Rama theksoi se “debati mbi këtë temë nuk ja vlen, është debat që nuk ka dy anë që diskutojnë në rrugën e arsyes, por ka një anë që ecën në rrugën e arsyes dhe një anë tjetër që nuk mban përgjegjësi për atë që thotë.
Ja vlen shpjegimi, pasi kjo është eksperiencë e parë për vendin tonë, që është i vetmi vend në Europë e rajon që deri më sot nuk ka pasur asnjëherë një eksperiencë të tillë, i vetmi, dhe për këtë arsye ia vlen shpjegimi”.
Historia e tarifës për Rrugën e Kombit nis më 2010
“Vendimmarrja për të vendosur jo taksën, sepse nuk është taksë, është tarifë për përdoruesin e Rrugës së Kombit e ka zanafillën në vitin 2010. Kryeministri i kohës ka marrë iniciativë për të hapur këtë proces dhe ka thënë publikisht si rrallë në karrierën e tij atë që sot si gjithmonë në karrierën e tij mohon , ne ndërtuam por për ta mirëmbajtur nuk e mbajmë dot, por kjo nuk është një fjalë goje, sepse pamundësia e mirëmbajtjes ka sjellë degradime të rëndësishme në atë aks gjatë gjithë këtyre viteve”, nënvizoi Rama.
Ne , vijoi ai, jemi dëshmitarë se herë pas here pamundësia e mirëmbajtjes ka sjellë degradime në atë aks, rrëshqitje, rënie, përmbysje.
Kreu i qeverisë u shpreh se “historiku është farë i qartë, pasi qeveria e mëparshme e kuptoi që një rrugë e cila deri më sot që s’ka mbaruar i ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë 1.4 miliard, procesi dështoi, dështoi sepse nuk u ndërtua siç duhet si të gjitha punët e qeverisë së mëparshme dhe në fund nuk u paraqit asnjeri”.
“Me pas ne rimorëm procesin dhe e kemi rimarrë menjëherë që në vitin 2014 me urdhrin e nxjerrë nga ish-ministri i Transporteve Haxhinasto me fillimin e një pune që ka marrë dy vjet kohë që është bërë me ekspertë vendas e ekspertizë ndërkombëtare për t’u finalizuar në dhjetor të 2016. Ky proces faktikisht në dhjetor të 2016 është përmbyllur dhe nuk ka pasur debat dhe këtu unë nuk llogaris LSI-në, sepse LSI-ja dihet kur është në pushtet ka tjetër mendje dhe kur nuk është në pushtet ka tjetër mendje për të njëjtën gjë”, bëri të ditur Rama.
Më pas, sqaron ai, ne thjesht kemi ecur sipas procesit të nisur nga ish- ministri i Transporteve Haxhinasto dhe i përmbyllur nga ish- ministri i Transporteve, Dervishaj.
“Për punën e tyre në këtë proces kam gjithë respektin e merituar sepse është bërë një punë shumë profesionale”, shtoi Rama.
Kryeministri tha se nëse dimri nuk solli asnjë sekondë bllokim të rrugës së Kombit, e cila deri dje bllokohej sa binte bora e parë kjo lidhet me kompaninë e cila ka nisur mirëmbajtjen.
Rama u shpreh se “vetëm dy rrugë ka ose për mirëmbajtjen e rrugëve paguajnë të gjithë taksapaguesit ose për mirëmbajtjen e rrugëve paguajnë të gjithë përdoruesit e rrugëve në fjalë. Koncepti që për mirëmbajtjen e rrugëve të paguajnë të gjithë taksapaguesit sot është rivënë në diskutim edhe në të vetmin vend europian ku ende nuk ka pagesë dhe ky vend është vendi më i zhvilluar europian, Gjermania, ku ka nisur debati për vendosjen e një ngarkese të caktuar tarifore për përdoruesit”. Nga ana tjetër është e kotë ti hyjmë diskutimeve për mundësitë tonë, për mundësitë e buxhetit të shtetit shqiptar në raport për domosdoshmërinë për të garantuar sigurinë dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të këtij aksi strategjik”.
Kryeministri duke sjellë një pasqyrë të tarifave në vendet e rajonit, tha se këtu nuk ka asnjë gjë të veçantë, e gjitha është shumë e thjeshtë. Rruga dhe përdoruesi dhe për këtë arsye edhe tarifat variojnë dhe varet nga numri i përdoruesve dhe nevoja e mirëmbajtjes”.
Duke iu drejtuar opozitës, Rama tha se “ky aks është i papërfunduar, është një rrugë e bërë pa studimet e nevojshme gjeologjike. Është një rrugë ku në segmentin e parë Milot Rrëshen mbetet pa dublim 25,6 km, në segmentin e dytë 61 km nuk kanë masa gjeoteknike mbrojtëse, në segmentin e e tretë Kalimash- Morinë nuk janë përfunduar as vijat dukëse as urat dhe e gjitha kjo vlerësohet se kërkon deri në 200 milionë euro pa llogaritur këtu dëmet që janë shkaktuar në rrugë gjatë këtyre viteve, dhe vetëm kostoja e mirëmbajtjes rutinë e tunelit menaxhimit dhe operimit të rrugës shkon në 5.3 milionë euro , atëherë në vend që të tundet një flamur i rreckosur i një patriotizmi pervers që nuk a lidhje me patriotizmin dhe interesat strategjike në çdo aspekt, është mirë të thuhet një formulë alternative”.
“Nëse formula alternative është formula e njohur e qeverisë së mëparshme, atëherë këtë formulë mbajeni për vete, pasi për ne nuk është formulë, është formulë rrumpallë, që ju bëtë sa herë iu është dhënë mundësia të keni marrë në dorë çelësat e këtij shteti”, theksoi Rama.
Lehtësira për përdoruesit e shpeshtë të rrugës
Kryeministri Edi Rama theksoi se “kontrata parashikon që në 6 muaj e parë do të përcaktohet në negociata mes qeverisë, ministrive përkatëse dhe koncesionarit ajo që quhet tarifa për përdoruesit e shpeshtë, pra nëse dikush e përdor për të ardhur nga Kukësi në Tiranë apo nga Tirana në Kukës shpesh, atëherë përdoruesit e shpeshtë do të kenë zgjedhje me karta ku do të paguajnë jo shumën e të gjithë udhëtimeve bazuar në tarifa fikse, por një tarifë më të ulët, këto janë forma që përdor bota dhe këto janë format që janë zgjedhur këtu”.
“Ajo që duhet të dinë njerëzit është se janë 120 mijë euro që kompania i jep pushtetit vendor për t’i përdorur për të lehtësuar barrën për ata që do të përdorin transportin publik apo privat me autobus apo me furgon, pra nuk ka asnjë tarifë për të paguar dhe nuk ka asnjë barrë për këdo që do të përdorë këtë transport”, tha Rama.
Kryeministri duke iu drejtuar opozitës, të cilës i tha se vetëm logjikë nuk ka kjo lloj historie që ju doni të ngrini, sqaroi se “Jo, jo, jo, sepse pagesa e kompanisë për bashkinë është pikërisht që të gjithë operatorëve që japin këtë shërbim, qofshin publikë, që ska atje, por edhe privatë që kanë linja të dedikuara për të bërë transportin publik, të kompensohen dhe nuk i kërkon autobusit apo furgonit që të paguajë”.
Rama u shpreh se “falë kësaj do të kemi një rrugë Kombi që do të shkojë duke përfunduar, një rrugë Klombi që nuk do rrëshqasë në çdo stinë dhe do të kemi 45 milionë euro të investuara vetëm në katër vitet e para nga kompania ashtu sikundër 54 milionë euro të tjera që në gjithë harkun e viteve do të shkojnë për rehabilitime e mirëmbajtje”.
Kryeministri tha se “ka filluar dhe do të investohet për mirëmbajtjen dhe kostoja totale ku përfshihet mirëmbajtja rutinë dhe mirëmbajtja dimërore që është gjë e re për vendin tonë dhe kostoja totale është 160 milionë euro”.
