Aktuale
TAP nis së shpejti ndërtimin e seksionit detar në Itali: Ja kur vjen gazi i parë në Europë
Seksioni nëndetar i tubacionit TAP nga brigjet italiane do fillojë së shpejti, raporton media azere Trend duke cituar një deklaratë të fundit nga konsorciumi TAP AG.
Duke u lidhur me tubacionin Trans Anatolian (TANAP) në kufirin Greko-Turk, TAP do të kalojë Greqinë Veriore, Shqipërinë dhe Detin Adriatik përpara se të vijë në breg në Italinë Jugore për t’u lidhur me rrjetin italian të gazit natyror. Projekti aktualisht është në fazën e tij të ndërtimit, i cili filloi në vitin 2016. Seksioni në det të hapur i TAP, që lidh bregdetin shqiptar dhe atë italian, është i gjatë 105 km. Përgatitja për fazën operacionale të TAP nisi që në shtator të 2019 dhe në momentin që flasim, pjesa tokësore e tij, edhe në Shqipëri, është përfunduar në masën 90.7%. Seksioni i parë i detit në Shqipëri u bashkua me sukses me segmentin tokësor në mars të vitit 2019.
Sipas deklaratave të dhëna më herët nga Menaxheri të TAP për Shqipërinë, Malfor Nuri, gjatë verës 2019 u ndërprenë punimet për pjesën detare, për të shmangur shqetësimin e turistëve në sezonin turistik. Punimet rinisën në vjeshtë, për të lidhur pjesën tokësore shqiptare dhe atë italiane dhe për të kthyer tokën në gjendje fillestare. TAP-i do të transportojë gaz natyror nga fusha e Shah Denizit II, në Azerbajxhan, në Evropë. Tubacioni, i gjatë 878 km, do të lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) në kufirin turko-grek, në Kipoi, duke kaluar përmes Greqisë, Shqipërisë dhe detit Adriatik, përpara se të mbërrijë në brigjet e Italisë së Jugut.
Rruga që përshkon TAP-i mund të lehtësojë furnizimin me gaz të disa vendeve të Evropës Juglindore. Dalja në tokë e TAP-it, në Itali, ofron mundësi të shumta për transportimin e mëtejshëm të gazit natyror të Kaspikut në disa nga tregjet më të mëdha evropiane. TAP-i nxit zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës përgjatë rrugës së tubacionit; ai është një burim i madh i investimeve të huaja direkte. Tashmë që sasia e parë e gazit po transportohet drejt Gjeorgjisë dhe Turqisë, sasia e parë e gazit në Evropë do të arrijë në vitin 2020./Burimi: Monitor