Arkitekturë
Tani studentët e arkitekturës në UP mund të garojnë për “Inspireli Awards”
Studentët e arkitekturës në Kosovë, tani mund të bëhen pjesë e garës ndërkombëtare Inspireli Awards, një nga më të mëdhatë për arkitekturë, dizajn urban, peisazh dhe dizajn të interierit, shkruan Ndërtimi.info.
Kjo falë përkushtimit të Egzon Fekës, arkitekt në një ndër kompanitë më të mëdha arkitekturore, Henning Larsen dhe gjithashtu anëtar i Institutit Amerikan të Arkitektëve “AIA Continental Europe”, të cilit tani i është ofruar detyra si ambasadori i Inspireli-t për vendet e Ballkanit.
Si rrjedhojë, tani Fakulteti i Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës, do të radhitet në mesin e universiteteve botërore si bashkë-organizator dhe studentët nga Kosova do ta kenë mundësinë që të garojnë zyrtarisht si studentë të Universitetit të Prishtinës.
Inspireli Awards është konkursi më i madh botëror i studentëve në arkitekturë, dizajn urban, peisazh dhe dizajn i brendshëm, i cili përfshin 136 vende. Kjo garë u mundëson talentëve të rinj të paraqesin tregimet e tyre dhe të rrisin vetëdijen për pikëpamjen e tyre botërore përpara se të kenë mundësinë për t’i ndërtuar ato. Gara bashkon arkitektë të ardhshëm, si dhe profesionistë, dhe u siguron atyre një forum për të krijuar lidhje me publikun e gjerë.
Finalistët e kësaj gare marrin një çertifikatë me ç’rast pas diplomimit fitojnë të drejtën e antarësimit në institutin “AIA Continental Europe”.
Për të gjithë studentët e interesuar, ju mund t’i dërgoni projektet e juaja universitare në www.inspireli.com (Për të shkuar direkt në faqen për regjistrimin e projektit kliko këtu: https://bit.ly/37K1BRH).