Aktuale
Taksa në Rrugën e Kombit shkakton pakënaqësi te bizneset kosovare

Vendosja e taksës në Rrugën e Kombit mund të ndikojë edhe në ngritjen e çmimeve ka shkaktuar pakënaqësi të mëdha te bizneset kosovare, të cilat kanë qarkullim më të madh me Republikën e Shqipërisë.
Përfaqësues të shoqatave të bizneseve thonë se vendosja e kësaj takse për artikuj të caktuar.
Që nga 17 shtatori, çdo veturë që kalon në tunelin e Kalimashit, pjesë e Rrugës së Kombit, është i obliguar të paguajë pesë euro për një drejtim, tarifë kjo e përcaktuar nga autoritetet shqiptare. Aleanca Kosova e Bizneseve është e shqetësuar për këtë tarifë, të cilën e konsideron si barrë shtesë për bizneset kosovare.
Kryetari Agim Shahini thotë për Radio-Kosovën se në bazë të disa kalkulimeve, shuma që do të paguajnë bizneset kosovare brenda një viti në emër të kësaj takse kap vlerën mbi 2 milionë euro.
“Është vlerësuar se transporti do të rritet për dy për qind, dhe kjo rritje në total të produkteve të importit nga Shqipëria arrin vlerën mbi dy milionë euron vit, dhe është një ngarkesë për bizneset dhe për qytetarët. Kurse përftimet nga qarkullimi i mjeteve të ndryshme, qoftë të udhëtarëve apo edhe të mallrave, mesatarisht janë në Shqipëri mbi një milion gjatë gjithë vitit dhe nëse merret një taksë më e vogla 5 euro, kjo është një shumë e lartë, është dashur dhe kjo tarifë duhet të korrigjohet”, tha Shahini.
Ndërsa, Arian Zeka, nga Oda Ekonomike Amerikane, thotë se transportuesit e mallrave tani më mund të ngritin çmimin, sepse ndryshe do të punojnë me humbje.
“Tarifa për transportuesit është dukshëm më e lartë sesa ajo për udhëtarët e rëndomtë, dhe kjo natyrisht që do të shpërndahet proporcionalisht edhe me koston e përgjithshme të importit dhe në çmimin final të produktivit që do të plasohet në tregun kosovar”, tha Zeka.
Ndryshe, edhe ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ditë me parë ka deklaruar se tarifa rrugore e vendosur nga qeveria shqiptare për të shfrytëzuar autostradën, është shumë e lartë. Ai ka bërë të ditur se tarifa për shfrytëzimin e autostradës “Ibrahim Rugova” do të ndodhë edhe në Kosovë vitin e ardhshëm, por, siç ka thënë ai, çmimet do jenë të arsyeshme dhe nuk do ta rëndojnë xhepin e qytetarëve.
