Aktuale
Tahiri: Përkundër vështirësive, Komuna i ka realizuar 90% të projekteve
Viti 2019 ka qenë sfidues për komunën e Vushtrrisë. Edhe përkundër vështirësive kjo komunë i’a ka dalë që 90% të projekteve t’i realizojë, tha kryetari Xhafer Tahiri.
Tahiri thotë se Ministria e Ambientit ka penguar komunën në realizimin e projektit të ujësjellësit për 9 mijë familje.
Sipas tij, ministria e Ambientit i ka ndalë 300 mijë euro dhe nuk i’a ka dhënë komunës së Vushtrrisë edhe pse këto para janë në buxhet. Kjo thotë ai ka ndikuar që qytetarët e Vushtrrisë të mbesin pa ujë të pijes.
“Mendoj që ka qenë një vit sfidues sepse ka qenë edhe një vit zgjedhor, por ne kemi arritur që t’i iplimentojmë projektet që i kemi pasur të planifikuara në buxhetin e komunës së Vushtrrisë për këtë vit dhe mendoj që kemi arritur objektivat tona kemi realizuar mbi 90% të projekteve të planifikuara në prokurim dhe po ashtu kemi një shpenzim të mirë të buxhetit komunal”, tha Tahiri për Ekonomia Online.
“Për fat të keq qeveria e Kosovës në këto dy vitet ka përkrahur shumë pak projekte në komunën e Vushtrrisë dhe në dy vite është vetëm një projekt i ri që ka ardhur me infrastrukturë në komunën e Vushtrrisë de po ashtu jemi penguar te projekti i ujësjellësit”, tha ai.
“Këtë vit kemi filluar një projekt si më i rëndësishmi në komunën tonë i cili është kyçja e 9000 familjeve në rrjetin e ujësjellësit, por kemi pasur pengesë nga Qeveria e Kosovës përkatësisht nga Ministria e Ambientit e cila i ka ndal 300 mijë euro dhe nuk i ka dhanë komunës së Vushtrrisë edhe pse janë në buxhet dhe këto mjete tash po shkojnë suficit ndërkohë që qytetarët e Vushtrrisë po mbesin pa ujë, por ne me mjete të komunës jemi duke vazhduar projektin e kyçjeve individuale, por pengesa të tilla të kësaj natyre ka pas”, u shpreh ai.
Ai tha se në vitin 2020 synim kryesor do të jetë investimi në arsim dhe në shëndetësi. Tahiri shtoi se janë rinovuar të gjitha qendrat e mjekësisë familjare në këtë komunë.
“Këtë vit synimi jonë themelor ka qenë të investojmë në arsim dhe shëndetësi dhe po ashtu në infrastrukturë dhe kemi rinovuar të gjitha qendrat e mjekësisë familjare në qytetin tonë po ashtu kemi filluar edhe ndërtimin e shkollës së re në fshatin Stanoc dhe kemi filluar ndërtimin e çerdhes së re në qytet po ashtu kemi ndërtuar edhe trotuar përgjatë shkollave dhe kemi bërë renovimin e shkollave të cilat kanë pas nevojë për tu rinovuar në qytetin e Vushtrrisë”, tha ai.
Ai tregoi edhe për arritjet ku 83% ka pasur më shumë në shëndetësi dhe 43% buxhet më shumë në arsim.
“Këtë vit kemi rritur buxhetin dhe kemi pasur 83% buxhet më shumë në shëndetësi dhe kemi pasur 43% buxhet më shumë në arsim po ashtu kemi filluar edhe projektin e shujtave për nxënësit në shkollat e Vushtrrisë një projekt i ri që sigurisht ka rritur cilësinë e arsimit në komunën tonë dhe po ashtu kemi filluar edhe projektin e përkrahjes të vizitave mjekësore për familjar falas në shtëpi për banorët e Vushtrrisë dhe për nënat shtatzëna, por edhe për nënat lehona apo të sëmurit që nuk mund të vinë në qendër të mjekësisë familjare”, tha ai.
Në Vushtrri Lidhja Demokratike e Kosovës qeverisë bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje.