Arkitekturë
Syri që shikon gjithë kryeqytetin: Urë dhe ndërtesë në një vend
Një ndër ndërtesat e reja më të larta në kryeqytetin e Kazakistanit do të jetë rrokaqielli i pazakonshëm, dizajni i të cilit është i inspiruar nga dukja e flamurit shtetëror
Vrima masive do të gjendet në mes të rrokaqiellit, 120 metra i lartë, i cili do të shtrihet mbi lumin Ishim dhe do të shërbejë si urë dhe ndërtesë me destinacion të përzier në një vend, transmeton Telegrafi.
I quajtur Tower of the Sun (Kulla e Diellit), ky rrokaqiell është i vendosur në zemër të kryeqytetit dhe do të ketë banesa, lokale afariste, zyra dhe hotel.
Hapësira prej 57.000 metrash katrorë, do të përfshijë edhe urën për këmbësorë dhe çiklistë në nivelin më të ulët të rrokaqiellit.
Qendra tregtare do të gjendet sipër, ndërkaq dy hyrje nga të dyja anët e bazës së hapjes rrethore do të shërbejnë si pika kryesore hyrëse për krahët banesorë apo krahët e përzier të ndërtesës.
Tarraca në kulm me platformën vëzhguese do të jetë gjithashtu e qasshme për të gjithë ata të cilët dëshirojnë ta shohin Astanën nga këndi tjetër.
Vetë ndërtesa paraqet pjesën e kaltër të flamurit, përkatësisht qiellin, derisa zbrazësia rrethore në qendër të saj paraqet Diellin.
Ndërtesa është e vendosur në vendin midis autostradës dhe Pallatit presidencial, mirëpo gjatë ngasjes së veturave nuk është fshehur pamja e Pallatit. Ai mund të shihet nga vrima e ndërtesës, e cila paraqet Diellin – simbol i rëndësishëm në kulturën dhe traditën e Kazakistanit.
Ndërtesa do të shfrytëzojë përparësinë e lokacionit në ujë, andaj për furnizim përdor energjinë elektrike e cila prodhohet nga lumi. Mirëpo, kjo nuk nënkupton ndërtimin e hidrocentralit tipik, por me ngushtimin e rrjedhës së lumit do të rritet qarkullimi, ndërsa me të edhe forca e tij.