Ndërtim
Sylejmani: Profesionistët mos të nisin ndërtimet nëse investitori nuk ka bërë elaboratin

Njohësit e fushës së ndërtimtarisë, përfaqësues të Rrjetit Sizmik të Kosovës por edhe profesorët e Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës gjithnjë kanë kritika ndaj ndërtimeve që janë bërë në Kosovë që nga paslufta.
Ndërtime këto të bëra “paushallah” e shumë pak, për të mos thënë fare marrin parasysh studimet sizmike, kritere tjera që parashihen me Ligjin e Ndërtimit.
Ndërtimi i objekteve në vendet ku nuk ka gjeomekanikë rrezikon ndërtesat nga tërmetet.
Edhe pse faji hedhet tek individë të ndryshe, profesori i Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës Hamdi Sylejmani, në një intervistë për Ndërtimi.info thotë se vetë profesionisti nuk duhet të nis ndërtimin në rast se investitori nuk ka bërë elaboratin.
“Unë mundem me marr si shembull që asnjë shqyrtim gjeofizik të trollit nuk bëhet, e për të cilin jemi të detyruar me ligj, me Eurokod. Aty nuk mundet të hidhet faji diku po e diku jo. Por profesionistët vetë nuk duhet me nis në rast se investitori nuk e ka bërë atë elaborat, atë shqyrtim”, tha Sylejmani.
Rreth kësaj ai tha se duhet të merren gjitha parametrat në mënyrë që objektet të jenë të sigurta.
“Deri vonë edhe gjemoekanikën e kanë bërë formal. Edhe tash ndoshta ka raste të tilla, por nuk jam i informuar. Por edhe ata duhet të jenë të licencuar edhe aty mos me punu gjithkush. Nuk do të thotë se nëse e marr një makinë për me shpu e kam kry punën. Çdo kund duhet me i pas parametrat që objekti me qenë i sigurt, por duhet me qenë edhe i lirë”, tha ai.
