Aktuale
Sveçla thotë që në vend të Stadiumit Kombëtar, “Fadil Vokrrit” t’i rritet kapaciteti
Pavarësisht se zyrtarisht është caktuar një lokacion në Drenas për ndërtimin e Stadiumit Kombëtar dhe projekti është zgjedhur, çështja e lokacionit është riaktualizuar. Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja, që mund të themelojnë qeverinë e re, kanë vendosur që stadiumi të mos ndërtohet në Drenas, por në Bërnicë të Prishtinës.
Për këtë çështje, është deklaruara edhe Xhelal Sveçla nga LVV. Ai, ka propozuar që stadiumit të Prishtinës “Fadil Vokrri” t’i rritet kapaciteti, ndërsa buxheti i mbetur të investohet në infrastrukturën tjetër sportive.
“Unë nuk kam qenë i kyçur në këto diskutime. Unë e di që është bërë fjalë për një kompleks shumë më të madha sesa vetëm stadiumi, siç është planifikuar më herët. Unë mund të flas për preferencat e mia. Ndoshta do të gjykohesha prej shumë sportdashësve. Përderisa ne kishim një stadium të parenovuar, në gjendjen që kishim, unë mendoja që ky stadium të rrënohej fare, i vjetri dhe jo i riu ‘Fadil Vokrri’, të kemi një park gjigand në qendër të Prishtinës dhe Stadiumi Kombëtar të dislokohet në njërin prej lokacioneve që tash po diskutohet. Realisht ne tash kemi një stadium shumë modern, por shumë të vogël dhe unë mendoj që do të duhej t’i rriteshin kapacitetet. Përderisa po kemi sukses në futboll, duhet t’i plotësojmë nevojat e qytetarëve për t’i përcjell këto aktivitete. Rrjedhimisht, qëndrimi im tash është që stadiumit ‘Fadil Vokrri’ do të duhej t’i rriteshin kapacitetet dhe në të ardhëm të shohim mundësitë e shtetit tonë për stadiume tjera. Të rritet kapaciteti i “Fadil Vokrrit” në kuptimin e rritjes së tribunës lindore, veriore dhe jugore, siç kanë thënë edhe disa njohës që kjo është e mundshme dhe do të kursehej buxhet i mjaftueshëm për të investuar në infrastrukturë sportive”, ka thënë ai.