Aktuale
Suspendohen katër inspektorë të ndërtimit në Prizren

Komisioni Disiplinor i Komunës së Prizrenit, ka suspenduar 4 inspektorë të ndërtimit për shkak të neglizhencës në punë dhe për shkak të të gjeturave në terren.
Drejtori i Inspektoriatit në Komunën e Prizrenit Islam Thaçi i kontaktuar nga Ndërtimi.info ka treguar se deri te kjo masë ka ardhur nga mosraportimi i saktë nga terreni për gjendjen e objekteve në ndërtim e sipër.
“Në kuadër të planit të menaxhimit tim nga të gjithë sektorët edhe në sektorin e ndërtimit kërkoj raporte të etapa të ndryshme kohore për gjendjen në teren. Saktësisht në fushën e ndërtimit, gjatë raportimit të fundit të gjendjes në teren, në hapësirat e qytetit, sa ndërtime kemi me leje, sa pa leje dhe në cilat nivele janë të inspektimit pas marrjes së raportit me shkrim, unë kam bërë vetë verifikimin e gjendjes në teren dhe ka rezultuar se ka pas tri lloj shkeljesh që i kanë bërë. Dhe mos raportimi i duhur, mos inspektim të nivelit në 10 objekte banimi pa leje të pa raportuara si dhe tre raste për mosveprim. Kështu që si përgjegjës i tyre për nivelin e shkeljeve që kanë bërë nuk kam mundur t’i ndëshkojë në bazë të udhëzimit administrativ për shkelje disiplinore ndaj shërbyesve civil kështu që kam kërkuar që si raste të trajtohen nga Komisioni Disiplinor. Pas seancës dëgjimore Komisioni Disiplinor si masë ka ndërmarr suspendimin në afat të caktuar kohor dhe njëkohësisht me pezullimin e 1/3 e pagës”, tregon Thaçi për Ndërtimi.info
Komuna e Prizrenit tani ka mbetur vetëm me dy inspektorë ndërtimi, nga 6 që kishte gjithsej.
