Featured
Surroi: Efekti i autostradave është ZERO, por ka efekt në mbushje të xhepave

Shkrimtari dhe publicist i njohur Veton Surroi në emisionin “Rubikon” përveç bisedave për dialogun dhe politikën në Kosovë, ai foli edhe për autostradat për të cilat edhe më parë ka thënë se kanë vetëm një qëllim, që është mbushja e xhepave të politikanëve.
“Efekt imediat i autostradave është ZERO, ka efekt në mbushje të xhepave”, tha Surroi, teksa tregoi se të gjithë këto projektet e mëdha infrastrukturore, janë krejtësisht patransparene, pa ndonjë përllogaritje ekonomike, shihet se bëhen për të vetmin motiv, për të fut paratë e buxhetit të Kosovës në ndonjë ndërmarrje nga e cila dikush ka një provizion, shkruan Ndertimi.info.
Surroi jep një përshkrim për autostradat me Shqipërinë dhe Maqedoninë, duke i komentuar si pa efekt pozitiv për Kosovë.
“Shikoni efektin që ka pasur autostrada e detit, kjo që shkon në Shqipëri. Lejon që të shkojmë pak më shpejtë në det dhe kaq është. Nuk e ka ndërruar strukturën ekonomike tonën. Kjo që lëshohet në javën e ardhshme me Maqedoninë, do të lejojë që produktet e Maqedonisë të mbërrijnë sa më shpejtë në Kosovë dhe turistët kosovar të shkojnë sa më shpejt në Shkup dhe viset tjera të Maqedonisë”, tha Surroi.
Sipas Veton Surroit, vetëm nëse paratë e një autostrade do të investoheshin në ndryshim të strukturës ekonomike, sikur turizëm, do të ishte krejt ndryshe.
“Po të kishte investuar Kosova paratë e një autostradë, në krejt këtë segmentin turistik të Kosovës në Bjeshkët e Sharrit dhe Bjeshkëve të Belegut, Deçanit dhe të Nemuna, ne do të kishim krijuar një sasi të konsiderueshme të të hyrave”, përfundoi Surroi.
