Aktuale
Supremja ua kthen ish-pronarëve ‘Stacionin e Autobusëve’ në Vushtrri
Familja Pllana nga Vushtrria ka fituar kontestin gjyqësor me Komunën e Vushtrrisë dhe me AKP-në për pronën prej 1.22.52 hektarësh ku ndodhet Stacioni i Autobusëve në Vushtrri 5 vjet pasi që AKP-ja ia kishte dorëzuar asetin Komunës së Vushtrrisë pa e njoftuar për borxhin prej 4 milionë eurosh ndaj ish-pronarëve, shkruan sot, gazeta Zeri.
Familja Pllana nga Vushtrria më në fund ka fituar kontestin maratonik gjyqësor që ka zgjatur për shumë vite me Komunën e Vushtrrisë dhe me Agjencinë Kosovare të Privatizimit për pronën ku ndodhej Stacioni i Autobusëve në Vushtrri.
Pas tri shkallësh Gjykata Supreme e Kosovës ka vendosur në favor të familjes Pllana, e cila tani e pas ka të drejtë të menaxhojë me pronën si të dojë vetë. Kontesti është zgjidhur pesë vjet prejse AKP-ja kishte arritur, siç kanë thënë në Komunë, “me mashtrim” t’ia dorëzojë asetin Komunës së Vushtrrisë pa e njoftuar për borxhin prej 4 milionë eurosh në emër të kompensimit për pronarët e Stacionit të Autobusëve, kjo në bazë të një padie të pronarëve të pronës.
Pas dorëzim-pranimit në mes të AKP-së dhe Komunës së Vushtrrisë, më 18 qershor 2012, Stacioni i Autobusëve nuk ka mundur të funksionalizohej asnjëherë për shkak të kontestit gjyqësor në mes të AKP-së dhe ish-pronarëve të tokës ku është ndërtuar stacioni, ku këta të fundit kërkonin 4 milionë euro të krijuara gjatë kohës sa me pronën menaxhonte AKP-ja.
Gjatë aktit të nënshkrimit të dorëzim-pranimit përfaqësuesit e AKP-së nuk kishin treguar për borxhin prej 4 milionë eurosh, të cilin e kishte krijuar AKP-ja sa ka menaxhuar me Stacionin e Autobusëve e që ky borxh u referohej pronarëve të tokës (familjes Pllana) ku është ndërtuar ky stacion, të cilët rastin e kishin proceduar në gjykatë.
Por, Komuna e Vushtrrisë nuk e kishte pranuar si valid aktin e pranim-dorëzimit të Stacionit të Autobusëve në Vushtrri nga AKP-ja…