Aktuale
Super-asistentja e Teknikut
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2018/01/1280px-University_of_Prishtina_-_Faculty_of_Engineering_1_front.jpg)
Një orë flet për termocentralet, orën tjetër për termodinamikën e transmetimin e nxehtësisë. Drenusha Krasniqi iu shfaqet studentëve thuajse në çdo lëndë në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike.
E bija e Akademik Fejzullah Krasniqit, asiston hiq më pak se në 13 lëndë në këtë fakultet.
Së paku kështu ishte deri para një viti, siç tregohet edhe në faqen zyrtare të FIM-it (http://fim.uni-pr.edu/Personeli/Personeli-akademik.aspx) ku ajo vazhdon të figurojë si asistente e 13 lëndëve.
Dekani i këtij institucioni arsimor, Ahmet Shala, e arsyeton angazhimin e saj me mungesë të stafit të ri ndërsa tregon se që nga viti i kaluar Krasniqi punon dy orë më pakë.
Por jo më pak se stafi tjetër akademik.
“Për këtë vit akademik asistentja në fjalë ka angazhim të planifikuar 10 orë në javë në këtë semestër kurse 12 orë në javë në semestrin veror. Është planifikuar angazhimi në 9 lëndë prej të cilave 2 kanë statusin “zgjedhore”, pra që mund të mos ketë studentë që e kanë zgjedhur”.
Dekani i FIM-it, tregon për Gazetën Fjala se Krasniqi është e vetmja asistente e rregulltë ne dy programe Termoenergjetike dhe Energji e Riperteritshme (Bsc & Msc) si dhe dy programe tjera qe pushojnë se ekzistuari këtë vit akademik.
Bazuar në të dhënat e prezantuara në CV-në e Krasniqit shihet se menjëherë pas përfundimit të studimeve Master ajo ka filluar punën si asistente e re në moshën 24 vjeçare.
Katër vite më vonë ka kaluar si asistentja e vetme e rregullt në katër programe, dy që tashmë kanë pushuar së ekzistuari.
Që nga 2009 kur e filloi punën e deri tash, ajo vazhdon tu asistojë profesorëve të këtij fakulteti e të punojë bashkë më të atin e saj, Akademik Fejzullah Krasniqin.
Mekanika e Fluideve, Mekanika e Aplikuar e Fluideve, Termodinamika, Termodinamika e Aplikuar, Makina Rrymore, Makina Rrymore Termike, Teknikat e Matjes ne Energjetikë dhe Transmetimi i nxehtësisë dhe masës, Termodinamika inxhinierike, Termocentralet, Analiza energjetike dhe eksergjetike e cikleve, Teknikat e djegies dhe Hidraulika e aplikuar, janë lëndët e listuar në faqen e Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, të cilat i asiston Krasniqi.
Për shkak të angazhimit të madh Krasniqi nuk ka gjetur kohë të përgjigjet në pyetjet e Gazetës Fjala. Ajo, fillimisht ka konfirmuar se do të flasë se si ia del që të gjejë kohë për të gjitha këto angazhime, por as për më shumë se një muaj pritje nuk është përgjigjur.
Por, pozita e asistentes në FIM, nuk është përvoja e vetme e Drenushës. Një vit pasi ishte shpallur “studente e dalluar” e Universitetit të Prishtinës, Krasniqi kishte punuar si këshilltare e ish-Ministrit të Energjisë dhe Minierave, Ethem Çeku gjatë vitit 2006-2007.
Dekani i FIM-it: Kemi mungesë të stafit akademik
Se a është e lejuar që një person të asistojë në kaq shumë lëndë, dhe se cila është arsyeja e kësaj, për Gazetën Fjala ka folur edhe Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, Ahmet Shala.
Ai e pranon se Drenusha Krasniqi, 32 vjeçare, deri më tani kishte asistuar në këto lëndë. E arsye për këtë sipas Shalës është mungesa e stafit të ri akademik.
“FIM dhe fakultet tjera të UP-së në vazhdimësi bëjnë kërkesa për lejim të pranimit të stafit të ri akademik por besoj jeni në dijeni se ka pengesa në lejim të rritjes së numrit të të punësuarve të rregullt”, ka thënë Shala për Gazetën Fjala.
Shala për Gazetën Fjala ka thënë se bazuar në rregulloren për pagesa, norma në Universitetin e Prishtinës, për një asistent është 10 orë në javë, ndërsa orë mbinorme me rregullore për pagesa janë të lejuara deri në 10 orë në javë.
E arsyen pse në faqen e FIM-it, emri i Drenusha Krasniqit vazhdon të figurojë si asistente e 13 lëndëve, Dekani thotë se lëndët në uebfaqe të FIM-se nuk janë të aktualizuara sepse për asistent ndryshojnë prej viti në vit varësisht se a zgjedhën lëndët apo jo.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)