Aktuale
Suhareka kërkon ndryshimin e taksës për leje ndërtimi dhe taksë për leje rrënimi

Komuna e Suharekës ka kërkuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) ndryshimin e taksës për leje ndërtimi sipas kategorive të objekteve dhe ndryshimin e taksës për infrastrukturë.
Veç këtyre, Komuna e Suharekës ka propozuar taksë edhe për leje rrënimi. Një gjë e tillë sipas komunës është parë e arsyeshme me qëllim që të gjithë të interesuarit për leje ndërtimi të ngarkohen me taksa ekonomikisht të përballueshme, të rriten kërkesat për tu pajisur me leje ndërtimi si dhe duke u pajisur me leje ndërtimi nga sektori përkatës, atëherë si pas tyre arrihet zbatueshmëria e dokumenteve të Planifikimit që ka komuna.
Kërkesë kjo të cilën e ka shqyrtuar Ministra e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, e cila i ka rekomanduar komunës që të procedoj për aprovim taksën në pajtim me procedurat e parapa me ligjin e ndërtimit.
Taksa administrative për leje ndërtimore për kategorinë e I-rë e llogaritur nga komuna është dy euro e 40 centë për metër katror.
Taksa administrative për leje ndërtimore për kategorinë e II-të që ka llogaritur komuna është dy euro e tetëdhjetë centë për metër katror.
Ndërsa taksën për leje rrënimi komuna e ka llogaritur të jetë 1 euro për metër katror.
Kurse tarifa për rritjen e densitetit të infrastrukturës është llogaritur konform shtojcës 7 të UA Nr. 02/2018 dhe kjo tarifë duhet të llogaritet vetëm për njësit e reja të banimit.
