Aktuale
Studentët e ndërtimtarisë, arkitekturës e inxhinerisë me sfida për punësim
Për herë të pestë, Qendra për Zhvillim të Karrierës në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” organizoi tryezën, përmes së cilës po synon ndërlidhjen e studimeve me tregun e punës. Tema e sotme ishte “Angazhimi i studentëve në projekte të qyteteve në zhvillim”, me ç’rast u diskutua për sfidat e punësimit në sektorin e ndërtimtarisë, arkitekturës dhe t rashëgimisë kulturore.
Rektori i UP-së, Marjan Dema, tha se bashkëpunimi në mes përfaqësuesve të tregut të punës dhe universitetit duhet të forcohet përmes angazhimit të dyanshëm.
“Në pjesën e cilësisë së studimeve në universitet, përmes planit strategjik, kemi investuar shumë që t’i japim fokus ndërtimit të shkathtësive të studentëve sepse po jetojmë në kohën e zhvillimit të shpejtë. Mënyra më e mirë që të bëjmë reforma është të angazhohemi në krijimin e partneritetit me punëdhënësit, andaj edhe realizojmë takime me ata për tematika të ndryshme”, tha rektori Dema.
Ndërkaq, prorektorja për zhvillim dhe cilësi, Merita Koçinaj – Berisha, potencoi dobinë që sjellin këto tryeza të rrumbullakëta ndërmjet UP-së dhe punëdhënësve.
“Kemi kuptuar që kësi lloj tryezash janë shumë të dobishme, andaj fokusohemi në tematika të ndryshme, për të kuptuar se si mund t’i plotësojmë mungesat që i kemi në kurrikula, të bashkëveprojmë me kompanitë që të lehtësojmë kalimin e studentit nga jeta studentore në punësim”, tha prorektorja Berisha.
Gjithashtu u diskutua mes përfaqësuesve të tregut të punës lidhur me mundësitë e bashkëpunimit me UP-në në punësimin e studentëve dhe të diplomuarve, ku shumë nga ta propozuan ide, duke theksuar këtu nevojën e punës praktike nga studentët, profilizimin e orientimit në karrierë të studentëve të arkitekturës, ofrimin e mjediseve të punës dhe laboratorëve, etj.
Në këtë tryezë morën pjesë 14 përfaqësues të institucioneve, kompanive dhe organizatave nga sektori privat, publik dhe ndërkombëtar, të cilat ofrojnë për studentët mundësi për avancim në karrierë.