Aktuale
Stefano Boeri sjellë një tjetër kryevepër në Tiranë, të quajtur “Pylli Vertikal”

Arkitektët ndërkombëtarë kanë filluar ta shohin edhe më shumë Shqipërinë, si një vend të denjë për t’i jetësuar projektet e tyre. Së fundmi në kryeqytetin shqiptarë po qëndron njëri ndër arkitektët më me zë në botë, Stefano Boeri, i cili pëveç “Kubit të Artë” dhe projektit të tri shkollave, që po i sjellë për Tiranën, po në Tiranë ka projektuar edhe rrokaqiellin vertikal, të quajtur “Pylli Vertikal” rreth së cilës do të “ngjiten”, pemë, lule e shkurre, e që do të jetë një tjetër atraksion për Shqipërinë.
Boeri për projekte të tilla ekologjike konsiderohet mjeshtër i vërtetë , i njohur më së shumti për kryeveprat e tij në vendet si Milano, Utrech dhe Nanjig.
“Pylli Vertikal” parashihet të jetë 21 kate i lartë dhe të jetë “shtëpi” për 105 apartamente, përfshirë edhe katër nivelet nëntokësore dhe katin përdhesë ku do të ketë hapësira për dyqane.

Vëmendje e veçantë i është kushtuar bimëve të cilat do të mbillen rreth objektit dhe në terraca e ballkone.
“Tirana është një kryeqytet i Mesdheut, prandaj kemi zgjedhur esenca të ndryshme, tipike të këtij ekosistemi të veçantë për ‘Pyllin e Parë Vertikal në Shqipëri’. Shkurret karakterizohen nga një ngjyrë të gjelbër shumë e gjallë së bashku me lule me ngjyra të ndezura që anojnë nga e verdha dhe vjollca”, u shpreh konsulentja e peisazhit, Laura Gatti.
Fasada e bllokut të apartamenteve do të mbillet me rreth 3200 shkurre dhe 145 pemë. Sipas studios së arkitekturës së “Stefano Boeri Architetti”, rrokaqielli do të krijojë sipërfaqe shumë më të madhe të gjelbërimit në Tiranë.

Bimët në mënyrë natyrale absorbojnë CO2 dhe grimcat e imta që ndotin atmosferën në qytete, duke lëshuar oksigjen dhe duke krijuar mikroklima që mund të jenë më të shëndetshme për banorët.
“Pylli Vertikal” i Tiranës, që do të jenë një ndërtesë banimi, do të hapet “si një lule” drejt monumenteve, të tilla si Sheshi Nënë Tereza.

Borei në Tiranë po krijon edhe “Kubin e Artë”, që po konsiderohet një ndër ndërtesat më të veçanta dhe bashkëkohore të sjellura së fundmi në viset shqiptare.
Ndërtesa që tërhoqi vëmendjen e medieve ndërkombëtare planifikohet të ketë 7 kate, me fasadë alumini në pjesën e jashtme që e reflekton dritën nga këndet e ndryshme të saj.
Forma kubike e saj është afërsisht rreth 30 metra me 30 metra. Dy katet e poshtme të ndërtesës që do kenë 1 mijë e 116 metra katrorë do të përmbajnë një Qendër Tregtare tejet të madhe, e pesë katet e sipërme do të jenë hapësira për zyre.
Tirana do të hapet drejt formave më inovative të edukimit, falë tri shkollave kushtuar arsimit parauniversitar, për të cilat gjithashtu po përkujdeset Stefano Boeri.

Projekti i Shkollave për Tiranën shtrihet mbi një sipërfaqe totale prej 29,609 metra katrorë. Kompleksi shkollor “Don Bosco”, me çerdhe, arsim parashkollor, shkollë fillore dhe të mesme (9,812 metra katrorë), Kompleksi Shkollor Kodër-Kamëz, me çerdhe, arsim parashkollor, shkollë fillore dhe shkollë të mesme (11,898 metra katrorë) , dhe kompleksin shkollor Shqiponja, me çerdhe, arsim parashkollor dhe shkollë të mesme (7,898 metra katrorë)./Ndërtimi.info/
