Aktuale
Stanishori kërkon rrugë alternative për kompanitë gurthyese

Banorët e fshatit Stanishor të Novobërdës, ankohen për shfrytëzimin e rrugës nga kompanitë gurthyese.
Ata theksojnë se disa herë kishin protestuar kundër qarkullimit të kamionëve dhe mjeteve të rënda të kompanive gurëthyese nëpër rrugën e tyre, shkruan sot Koha Ditore.
Kishin kërkuar dhe kërkojnë një rrugë alternative, që të mos dëmtohet rruga e fshatit.
Adem Isufi, kryetar i Këshillit të fshatit Stanishor deklaron se banorët ende janë në pritje të realizimit të projektit për ndërtimin e rrugës alternative për kompanitë e gurthyesve.
Ai thotë se nga takimet, të cilat ka pasur me zyrtarët komunalë ka marrë informacione se projekti varet nga Ministria e Infrastrukturës sa i përket buxhetimit për ndërtimin e rrugës.
Ndërsa banori tjetër, Muharrem Isufi, deklaron se ende nuk po shohin se ka një zgjidhje për problemin e tyre që ia kanë parashtruar edhe qeverisjes lokale.
Nga ana tjetër Drejtoria e Shërbimeve Publike e Novobërdës i ka zhvilluar gjitha procedurat siç i kishte kërkuar Ministria e Infrastrukturës për ndërtimin e rrugës alternative, dedikuar kompanive gurthyese, të cilët operojnë në këtë komunë. Drejtoresha e Shërbimeve Publike e Novobërdës, Shefkije Mehmeti, ka deklaruar se traseja e rrugës së re do të shtrihet në toka private dhe se barrën e shpenzimeve financiare sa i përket shpronësimeve, do të bartë Qeveria e Kosovës.
Për telashet që po krijohen në infrastrukturë rrugore me kalimin e kamionëve të mbushur me gurë, me 3 maj banorët kishin bllokuar për më shumë se tre orë rrugën duke mos lejuar që të kalojnë transportuesit e gurëve.
