Aktuale
Stadiumit Kombëtar “i vihet” emri i punëtorit që vdiq në ndërtimin e tij

Është inauguruar stadiumi i ri “Air Albania” në Tiranë, i cili është mban emrin e sponzorit kryesor. Ky emërtim nuk është mirëpriteur nga të gjithë. “Organizata Politike” ka kundërshtuar këtë emërtim, duke vlerësuar se stadiumi do të duhej ta ketë emrin punëtorit Naim Idrizi, i cili ka vdekur në vendin e punës, gjatë ndërtimit të stadiumit, shkruan Ndërtimi.info.
Kjo organizatë ka mbajtur edhe një aksion, ku në mënyrë simbolike e kanë emërtuar këtë stadium “Naim Idrizi.
“Sot jetojmë në periudhēn e sundimit të PPP-ve dhe ideologjisë së tregtarizimit. Stadiumi merr emrin e sponsorit kryesor ‘Air Albania’. Të mos habitemi nëse nesër do çelet universiteti publik ‘Lufra’. Ne, aktivistët e Organizatës Politike vendosëm që, në mënyrë simbolike, stadiumit t’i vëmë emrin e punëtorit që sakrifikoi që stadiumi të jetë sot aty. E dikujt të cilit emri s’i është dëgjuar kurrë, sepse vdekja e tij kaloi në heshtje. E punëtorit 40-vjeçar Naim Idrizi që ra nga skela duke punuar!”, thuhet në njoftimin e kësaj organizate.
Sipas “Organizatës Politike” ndodh shpesh që objektet apo sheshet publike marrin emrin e atyre që kanë dhënë një kontribut të vyer, ose duke shkëlqyer profesionalisht, ose duke u sakrifikuar që objekti apo sheshi të jetë aty. E, kjo sipas kësaj organizate ndodh në një shoqëri të drejtë.
“Piramidat në Egjipt nuk mbajnë emrat e punëtorëve apo arkitektëve që i ideuan dhe ndërtuan, por emrat e faraonëve. Por kjo sepse bëhet fjalë për një periudhë e sundimit absolut’, thuhet në njoftim.
