Aktuale
Stadiumi i qytetit në Malishevë drejt përfundimit
Punimet në ndërtimin e stadiumit të qytetit në Malishevë , që mban emrin e dëshmorit “Liman Gegaj”, janë në përfundim e sipër dhe shumë shpejt ekipet e futbollit nga Malisheva, do ta kenë stadiumin e tyre për zhvillimin e ndeshjeve.
Punimet sot i ka parë nga afër nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, i cili është ndarë i kënaqur me punimet që janë duke u bërë.
“Sot po vendosen ulëset në shkallët e stadiumit, si dhe janë rregulluar zhveshtoret dhe bankinat, dhe realisht është duke u bërë një punë e mirë. Shumë shpejt presim që ekipet tona ta kenë në dispozicion fushën e futbollit dhe ndeshjet ti zhvillojnë në stadiumin e qytetit”, tha nënkryetari Berisha, gjatë inspektimit të punimeve në stadium.
Ai tha se qëllimi kryesor është krijimi kushteve të mira për të gjitha ekipet sportive, përfshirë edhe futbollin dhe që po punohet maksimalisht në ngritjen e sportit në Komunën e Malishevës.
Komuna e Malishevës, i ka dy ekipe të futbollit, ekipin e meshkujve që bën gara në ligën e dytë dhe ekipin femrave që bën gara në superligë, por që deri më tani ndeshjet i kanë zhvilluar jashtë Malishevës, ndërsa me hapjen e stadiumit, ndeshjet do ti zhvillojnë në Malishevë. Po ashtu, stadiumi i qytetit “Liman Gegaj”, përveç fushës së futbollit, është i përgatitur edhe për garat në atletikë, pasi i ka edhe shtigjet e vrapimit./21Media





