Aktuale
Stacioni i Autobusëve s’i mbyll avancat që nga viti 1999

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se menaxhmentit i Stacionit të Autobusëve në Prishtinë në kuadër të llogarive të tjera të pagueshme në vlerë prej 13.176 eurosh kishte edhe një avancë të marrë nga një person fizik në vitin 1999 (marka gjermane e konvertuar në euro) në vlerë 5.624 euro si paradhënie në emër të qirasë ende pa e nënshkruar kontratën. Kontrata nuk është nënshkruar fare dhe as që është shfrytëzuar lokali, për më shumë as avanca nuk është mbyllur qe gati 20 vjet, shkruan sot Gazeta “Zëri”
Shkelje të shumta ka evidentuar Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) gjatë auditimit të pasqyrave financiare për vitin 2017 për Stacionin e Autobusëve në Prishtinë.
Sipas Auditorit, Stacioni i Autobusëve në kuadër të llogarive të tjera të pagueshme në vlerë prej 13.176 eurosh kishte edhe një avancë të marrë nga një person fizik në vitin 1999 (marka gjermane e konvertuar në euro) në vlerë 5.624 euro si paradhënie në emër të qirasë ende pa e nënshkruar kontratën.
Kontrata nuk është nënshkruar fare dhe as që është shfrytëzuar lokali, për më shumë as avanca nuk është mbyllur, shkruan më tutje “Zëri”.
Kjo për shkak të mungesës së kontrolleve dhe përgjegjësisë nga menaxhmenti që para marrjes së avancës të nënshkruajë kontratën.
Sipas ZKA-së, mënyra e tillë e marrjes së avancës dhe pamundësia e kryerjes së shërbimit ndaj klientit ose kthimit të avancës së pranuar për kohën mbi pesë vjet rrit rrezikun e mbivlerësimit të obligimeve.
Auditori ka rekomanduar se kryesuesi i Bordit duhet të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore që të mbyllë avancën dhe në të ardhmen të sigurohet që paraprakisht ka hyrë në obligime kontraktuale për të evituar marrjen e avancave pa një marrëveshje të shkruar paraprake.
