Aktuale
Stacionet e autobusëve në Prishtinë në gjendje të mjerueshme, ende pa harta, orare e GPS

Pritore moderne të autobusëve – me GPS, harta të linjave e orare – kishte premtuar Shpend Ahmeti qysh në mandatin e tij të parë në krye të Prishtinës.
Ky premtim vinte krahas atij për autobusët e rinj, si pjesë e reformës së transportit publik në kryeqytet, raporton “038” në KTV.
Përderisa Trafiku Urban po pret ardhjen e kontingjentit të fundit prej 21 autobusësh të rinj për të kompletuar flotën, stacionet gjithandej janë në gjendje të mjerueshme.
Harta të linjave, orare e GPS në stacione kishte premtuar Shpend Ahmeti më 2013, kur për herë të parë garoi për të parin e kryeqytetit, por gati 5 vjet pas, në korrik të 2018-s, në vend të tyre qëndrojnë reklama, njoftime e afishet e ndryshme, ndërsa mungojnë edhe ulëset.
Qytetarët, të pakënaqur me gjendjen, theksojnë nevojën për modernizimin e dritoreve.
Ata thonë se pos kaosit që shkaktohet në mungesë të informatave të nevojshme në stacione, edhe pamja që ofrojnë është e tmerrshme.
Në Komunën e Prishtinës thonë se realizimi i këtij premtimi, po vonohet për shkak të Planit të Mobilitetit, me të cilin ndër të tjera, parashihet edhe ri-dizajnimi i linjave.
Megjithëse, në buxhetin e komunës për mobilieri urbane, ky hyjnë edhe investimet në stacionet e reja, janë ndarë gjysmë milioni euro, tenderi ende nuk është shpallur.
Miranda Mullafazliu, zëdhënëse në Komunën e Prishtinës ka refuzuar të japë një datë ose tregojë nëse stacionet e reja do të vendosen në rrugët e kryeqytetit deri në fund të vitit.
